Lufta duhet të përfundojë sa më shpejt: Zelenski për bisedimet me Rusinë dhe SHBA-në

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski sot deklaroi se ekziston mundësia e mbajtjes së një takimi trilateral të liderëve të Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së për zgjidhjen e çështjeve që mund të zgjidhen vetëm në nivelin më të lartë, duke theksuar se për Ukrainën nuk mund të vendoset pa pjesëmarrjen e saj.
Duke folur për bisedimet me përfaqësuesin e presidentit amerikan, Steve Witkoff, Zelenski tha se u prezantuan "disa ide të qarta për mënyrën se si të arrihet paqja", raportoi "Sky News".
"Një nga idetë e rëndësishme është kalimi në një takim trilateral të liderëve ose mundësia për një takim të tillë, me qëllim zgjidhjen e çështjeve që mund t'i zgjidhin vetëm liderët", tha Zelenski dhe shtoi se Witkoff nesër do të udhëtojë në Rusi, ku do të shihet se çfarë do të thotë presidenti rus Vladimir Putin.
Zelenski hodhi poshtë pretendimet se Ukraina po humb luftën kundër Rusisë, por paralajmëroi për humbjen e jetëve njerëzore dhe pasojat e luftës për fëmijët dhe civilët.
"Por, po humbim njerëz", tha Zelenski, duke shtuar se fëmijët ukrainas nuk kanë një fëmijëri të vërtetë dhe se është e nevojshme që lufta të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.
Ai shprehu shpresën se partnerët amerikanë dhe evropianë do t'i ndihmojnë Ukrainës.
Ai gjithashtu tha se inteligjenca amerikane për sulmet me raketa tani funksionon, duke theksuar rëndësinë e saj për paralajmërimin e hershëm të popullsisë për mbërritjen e raketave balistike.
"Paralajmërimi i hershëm është jashtëzakonisht i rëndësishëm për popullin tonë – për fëmijët dhe civilët, që të dimë kur vijnë raketat balistike", tha presidenti ukrainas.
Zelenski gjithashtu deklaroi se gjatë bisedës me përfaqësuesin special të presidentit amerikan Steve Witkoff në Oslo, u shqyrtuan propozime për formate të ndryshme të armëpushimit, garanci sigurie për Ukrainën dhe çështje territoriale.
Në konferencën për shtyp, pas bisedimeve me pjesëmarrjen e kryeministrit norvegjez dhe presidentit finlandez, Zelenski tha se Ukraina është e gatshme për negociata dhe se është e rëndësishme të tregohen shenja të deeskalimit, raportoi "Ukrinform".
"Prandaj ekzistojnë disa propozime për formate të ndryshme të armëpushimit", tha Zelenski.
Ai deklaroi se me palën amerikane është diskutuar për garancitë e sigurisë për Ukrainën, përfshirë mundësinë e zbatimit të Nenit 5 të NATO-s dhe opsionin "Neni 5 i lehtë".
Sipas tij, dokumenti që Witkoff do t'i dorëzojë palës ruse përmban lloje të ndryshme garancish sigurie, dhe pritet përgjigje brenda një dite.



