VMRO-DPMNE: Zaevët e shkatërruan dhe vodhën Eurostandard, ndërsa Alta Banka është problem i importuar

VMRO-DPMNE e akuzoi LSDM-në për përhapje të gënjeshtrave dhe dezinformatave lidhur me rastin me "Alta Banka", duke vlerësuar se partia opozitare përpiqet të shkaktojë panik dhe të dëmtojë besimin në sistemin bankar.
Duke reaguar në konferencën për shtyp të Bogdanka Kuzeskës, nga VMRO-DPMNE theksojnë se vendimet lidhur me sistemin bankar i merr Banka Popullore dhe guvernatori, jo kryeministri dhe Qeveria. Ata pretendojnë se guvernatori Trajko Slaveski kurrë nuk ka deklaruar se vendimin lidhur me "Alta Banka" e ka marrë kryeministri Hristijan Mickoski.
Partia në pushtet e krahason situatën me "Alta Banka" me falimentimin e "Eurostandard Banka", duke i akuzuar Zoran Zaevin dhe partnerët e tij biznesorë se e shkatërruan bankën duke marrë kredi pa mbulim.
Sipas VMRO-DPMNE-së, ndryshimi është se problemi me "Alta Banka" është i importuar dhe rrjedh nga ndalimi i punës së bankës së saj amë në një shtet tjetër.
"Dallimi mes Alta Bankës dhe Eurostandard është se Zaevët e vodhën bankën, ndërsa në rastin e Altës, problemi është i importuar", theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Nga partia shtojnë se pritet të gjendet një zgjidhje për rastin dhe sigurojnë se qytetarët nuk do të dëmtohen.



