Tre tifozë arrestohen për thirrjet naziste në Split

Policia kroate arrestoi tre persona për shkak të thirrjeve naziste dhe antisemitike gjatë marshit të organizuar të tifozëve të Torcida-s, para ndeshjes së djeshme mes Hajduk dhe Ajax në Split. Ata dyshohen për nxitje publike të dhunës dhe urrejtjes, raporton "Index" kroat.
Policia e Splitit njoftoi se ka identifikuar edhe persona të tjerë që janë në kërkim, dhe vazhdon analiza e videove për të përcaktuar identitetin e pjesëmarrësve të tjerë.
"Aktualisht janë arrestuar tre persona dhe kundër tyre po zhvillohet hetim penal për dyshim të kryerjes së veprës penale të nxitjes publike të dhunës dhe urrejtjes. Janë identifikuar disa persona dhe është në proces procedura për arrestimin dhe gjetjen e tyre", njoftoi policia.
Gjatë marshit të organizuar drejt stadiumit "Poljud", disa tifozë brohorisnin thirrje që lavdëronin Adolf Hitlerin, nazizmin dhe ustashët, si dhe mesazhe antisemite kundër hebrenjve.
Mes thirrjeve ishin "Auschwitz, Auschwitz" dhe "Ngrihu, Adolf", dhe po ashtu këndoheshin këngë që lavdëronin vrasjen e hebrenjve në kampet naziste të përqendrimit. Në një nga incizimet dëgjohen edhe vargje fyese drejtuar Anës Frank, vajzës hebreje që vdiq në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen në moshën 15-vjeçare.
Policia njoftoi gjithashtu se gjatë sigurimit të ndeshjes u arrestuan edhe 28 tifozë vendas, kryesisht për posedim të pirotechnikës, maskave dhe sendeve të tjera, si dhe për shkelje të tjera.
Ndeshjes i morën pjesë 31.273 spektatorë, përfshirë 1.413 tifozë mysafirë. Sipas policisë, gjatë ndeshjes nuk pati incidente të dhunshme.
Një ditë më parë, në Riva-n e Splitit, policia ndërhyri për shkak të trazirave ku ishin të përfshirë tifozë të Hajduk dhe Ajax. Në atë ndërhyrje u arrestuan pesë persona për dyshimin e veprave penale lidhur me sulmin ndaj punonjësve të policisë dhe shkaktimin e trazirave, ndërsa 52 persona të tjerë u arrestuan për shkelje të rendit dhe qetësisë publike.
Policia thekson se bëhet fjalë për një procedurë të veçantë nga arrestimet lidhur me thirrjet naziste dhe antisemite.



