Zelenski: Raketat amerikane nuk jemi më prioritet, shumica shkojnë në Lindjen e Mesme

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski deklaroi se në Bruksel ka pasur takime të rëndësishme dhe produktive me liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, ku u diskutua edhe për asetet e ngrira ruse, transmeton Tanjug.
Në një konferencë për shtyp pas samitit, Zelenski theksoi se më e rëndësishme është të parandalohet Rusia në të ardhmen që të rikthejë asetet e saj të ngrira.
"Kjo është një nga qëllimet e Rusisë dhe për këtë arsye Ukraina dëshiron të marrë disa fonde, në një formë të caktuar, para se Rusia të arrijë ta bëjë këtë", tha Zelenski.
Ai u ndal edhe te furnizimet me raketa amerikane PAC-2 dhe PAC-3, të cilat Ukraina i merr përmes programit PURL, me mbështetje financiare nga vendet evropiane.
"Shumica e raketave PAC-2 dhe PAC-3 tani dërgohen në Lindjen e Mesme, kështu që është sekret publik që ne nuk jemi më destinacion prioritar për këto raketa. Megjithatë, jemi shumë mirënjohës për të gjitha raketat që mund të marrim", deklaroi Zelenski.
Presidenti ukrainas theksoi se Kievi blen raketa edhe nga vende të tjera, ndërsa njëkohësisht punon në kapacitete shtesë komunikimi si alternativë për sistemin "Starlink", në bashkëpunim me Francën.
Sipas tij, Ukraina merr informacione inteligjence nga dhjetëra vende, përfshirë të dhëna nga SHBA për lansimin e raketave balistike.
"Po punojmë në të gjitha mundësitë për ta bërë Ukrainën sa më të pavarur", theksoi Zelenski.
Ai shtoi se Ukraina ka nevojë për një shpejtësi të caktuar të internetit përmes "Starlink" dhe se, edhe pse sistemi mund të përdoret për sulme thellë në territorin rus, aktualisht kjo nuk po bëhet.



