E enjte, 5 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Vdiq legjendari Alan Xhons

Legjendari shofer australian Alan Xhons, kampion bote në Formula 1 në vitin 1980 dhe fituesi i parë i titullit me makinën e Williams, vdiq në moshën 80-vjeçare, pas një sëmundjeje të shkurtër.

Lajmin për vdekjen e tij e konfirmoi bashkëshortja e tij Amanda Batler-Dejvis në një deklaratë të publikuar nga „Motorsport Australia“.

„Me trishtim të madh njoftojmë se i dashuri ynë Alan vdiq më 5 nëntor, pas një sëmundjeje të shkurtër. Do t’i mungojë të gjithëve që ishin afër tij, por edhe shumë tifozëve të cilët gjithmonë e vlerësuan mbështetjen e tij“, thuhet në deklaratë.

Gjatë karrierës së tij në Formula 1, nga viti 1975 deri në 1986, Xhons arriti 12 fitore në 116 gara.

Arritja e tij më e madhe ishte në vitin 1980, kur fitoi titullin kampion me Williams, duke u bërë i pari nga shtatë kampionët botërorë të këtij ekipi.

Në atë sezon fitoi pesë gara dhe mori titullin para Nelson Pikes. Një vit më parë, përfundoi i treti në renditjen e përgjithshme.

Ai ishte australiani i dytë që u bë kampion bote, pas legjendarit Xhek Brabam, i cili fitoi titujt në vitet 1959, 1960 dhe 1966.

Xhons arriti fitoren e tij të parë në vitin 1977 me makinën e Shadow, ndërsa triumfin e fundit e regjistroi në vitin 1981 në Las Vegas.

Më pas u tërhoq nga gara, megjithëse më vonë u rikthye në garat dhe vazhdoi të merrej me automobilizëm në kategori të tjera, duke përfshirë turne dhe gara qëndrueshmërie.

Ai njihet edhe si komentator i njohur televiziv dhe ekspert i motosportit në Australi.

Xhons ishte i njohur për stilin e tij agresiv të vozitjes dhe temperamentin e fortë.

„Nëse dikush më kalonte, e merrja personalisht“, tha ai në një podcast në vitin 2019.

Në epokën kur vdekjet dhe lëndimet serioze ishin të zakonshme në Formula 1, Xhons fillonte çdo garë duke kontrolluar policën e sigurimit të jetës dhe duke organizuar udhëtimin për bashkëshorten e tij, që ajo të mund të kthehej në Australi në rast se ai do të vdiste.

Ai tha se gjatë garave nuk kishte frikë nga vdekja.

„Nuk u shqetësova kurrë për rrezikun. U shqetësova për paratë“, tha Xhons.

Foto/ Depositphotos

Lajme të ngjashme