40 vjet pas katastrofës në Çernobil: grimcat radioaktive janë shumë më të qëndrueshme sesa mendohej

Dyzet vjet pas katastrofës më të madhe bërthamore në histori, shkencëtarët analizojnë grimca radioaktive të hedhura nga Çernobili për të përcaktuar sa nga karburanti bërthamor i shpërndarë ka mbetur dhe në çfarë gjendjeje ndodhet. Kuptimi i mënyrës se si këto grimca kanë përballuar dekadat e ekspozimit ndaj kushteve atmosferike është i rëndësishëm për sigurinë e centraleve bërthamore të ardhshme, por edhe për vlerësimin se kur njerëzit mund të kthehen në zonën e Çernobilit pa pajisje mbrojtëse, shkruan *ScienceAlert*.
Analiza ka treguar se struktura e grimcave të pluhurit radioaktiv është jashtëzakonisht e qëndrueshme dhe shumë më stabile sesa ishte supozuar deri tani. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e materialit radioaktiv ende mbetet e kapur brenda tyre.
Rezultatet janë publikuar nga studiues nga Universiteti "Leibniz" në Hanover dhe nga Qendra Gjermane "Helmholtz-Centrum Dresden-Rossendorf" (HZDR). Studimi është botuar në revistën shkencore Journal of Hazardous Materials.
Tre lloje grimcash nga karburanti bërthamor
Shkencëtarët kanë analizuar gjithsej gjashtë grimca karburanti, të ndara në tre kategori sipas ndryshimeve që kanë pësuar gjatë shpërthimit të reaktorit. Disa prej tyre janë shkrirë dhe janë bashkuar me mbështjellësin e karburantit prej cirkoniumi.
"Ekzistojnë tre klasa të këtyre grimcave", shpjegon fizikani Tobias Weissenborn nga Universiteti "Leibniz".
Grupi i parë përbëhet nga grimca që nga përbërja kimike dhe fizike janë ende shumë të ngjashme me karburantin bërthamor – dioksidin e uraniumit. Grupi i dytë përfshin grimca që janë mbuluar pjesërisht ose plotësisht me cirkonium ose janë shkrirë me të. Lloji i tretë është formuar gjatë djegies së moderatorit të grafit në reaktor.
Secili nga këto grupe ka përbërje kimike të ndryshme, që ndikon në mënyrën se si grimcat dekompozohen. Mostrat e analizuar ishin me madhësi nga 8 deri në 50 mikrometra dhe u mblodhën në zonën e evakuimit rreth Çernobilit.
Analiza me rreze X e strukturës atomike
Për të studiuar brendësinë e grimcave mikroskopike, studiuesit përdorën një teknikë të quajtur analizë difraksioni. Me të përcaktohet struktura kristalore atomike sipas mënyrës se si rrezet X reflektohen nga materiali.
"Në fund, i rrotulluam plotësisht grimcat në një rreze X të fokusuar në një sipërfaqe prej 100 mikrometrash, që është afërsisht trashësia e një fijë floku njerëzor", shpjegon kristalografi Christoph Hennig nga HZDR.
Çdo grimcë u mat nga 2,000 kënde të ndryshme, me qëllim që të regjistrohen me saktësi të gjitha reflektimet.
Qëndrueshmëri e papritur, por edhe rrezik afatgjatë
Tek të tre llojet e grimcave, shkencëtarët konstatuan se struktura në të cilën është kapur karburanti bërthamor kryesisht ka mbetur e paprekur. Kjo tregon për një stabilitet kimik më të madh sesa ishte supozuar më parë.
Studimi ofron edhe një pamje më të mirë të përbërjes së grimcave, dmth si katastrofa dhe reaksionet kimike pasuese kanë ndryshuar strukturën kristalore të karburantit.
"Gjetjet tona tregojnë se grimcat e karburantit të Çernobilit veprojnë si rezervuarë jashtëzakonisht të qëndrueshëm", thonë studiuesit në punimin e tyre.
Kjo mund të jetë një lajm i mirë, pasi tregon se grimcat ndoshta lëshojnë më ngadalë materialin radioaktiv në mjedis. Megjithatë, materiali radioaktiv nuk ka zhdukur, kështu që grimcat mund të mbeten të rrezikshme edhe për dekada.
Thithja e tyre mbetet një rrezik serioz për shëndetin. Grimcat mund të ngrihen përsëri në ajër nën ndikimin e erës, erozionit ose lëvizjes së kafshëve.
Shkencëtarët paralajmërojnë për kufizimet e studimit
Studiuesit theksojnë se gjashtë grimcat e analizuar, të mbledhura nga dy lokacione, përbëjnë një mostër të vogël. Për një vlerësim më të saktë të rreziqeve reale në Çernobil do të nevojiten të dhëna më të gjera, të mbledhura gjatë një periudhe më të gjatë kohore.
"Edhe nëse në një moment të caktuar marrim disa vlera mesatare, përsëri nuk do të mund të nxjerrim përfundime të përgjithshme për rreziqet shëndetësore në rajon", thotë Weissenborn.
Ai shton se, edhe pse grimcat ndoshta dekompozohen sipas një modeli relativisht uniform, gjithmonë do të ketë përjashtime – grimca më të qëndrueshme që do të lëshojnë radionuklide më vonë.
Prandaj, pavarësisht stabilitetit të zbuluar, rezultatet nuk nënkuptojnë se zona rreth Çernobilit do të bëhet së shpejti e sigurt për qëndrim pa pajisje mbrojtëse. Për një vlerësim të tillë do të nevojiten kërkime shtesë dhe monitorim afatgjatë i grimcave radioaktive.


