Delegacion nga Komisioni për Kulturë dhe Turizëm në Takimin Ndërparlamentar të Komisioneve në Parlamentin Evropian

Delegacion nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga deputetet Saranda Imeri Stafai, kryetare e Komisionit për Kulturë dhe Turizëm, Kaltrina Beqiri, zv.kryetare e Komisionit, dhe Dragana Arsova, anëtare zëvendësuese e Komisionit, më 4 dhe 5 nëntor 2026 mori pjesë në Takimin Ndërparlamentar të Komitetit për Kulturë dhe Arsimin (CULT) pranë Parlamentit Evropian, i cili u mbajt në Bruksel, Mbretëria e Belgjikës, i përkushtuar zbatimit të Aktit Evropian për Lirinë e Mediave (European Media Freedom Act – EMFA).
Në takim morën pjesë deputetë dhe përfaqësues të parlamenteve kombëtare, anëtarë të Parlamentit Evropian, përfaqësues të institucioneve evropiane, si dhe ekspertë nga fusha e mediave. Qëllimi i takimit ishte shkëmbimi i përvojave dhe qëndrimeve për zbatimin rajonal, kombëtar dhe evropian të Aktit Evropian për Lirinë e Mediave, si dhe shqyrtimi i ndikimit të tij në mjedisin mediatik, pluralizmin mediatik, pavarësinë e mediave dhe shoqërinë demokratike.
Puna e takimit u zhvillua nëpërmjet katër sesioneve tematike, të dedikuara për: 1. Kontributin e Aktit Evropian për Lirinë e Mediave në përmirësimin e mjedisit mediatik; në të cilin mori pjesë Saranda Imeri Stafai, kryetare e Komisionit për Kulturë dhe Turizëm, e cila u ndal në situatën aktuale me mediat në Maqedoni dhe theksoi sfidat me të cilat përballemi si shtet. 2. Kuadrin e BE-së për mediat dhe barazinë gjinore, pra rolin e mediave në formësimin e një shoqërie më të barabartë; 3. Aspektet digjitale të zbatimit të Aktit Evropian dhe sfidat për sigurimin e informacionit të besueshëm në mjedisin digjital; 4. Perspektivat për zbatimin e Aktit dhe mbështetjen e tij për ekosistemin mediatik në nivel rajonal.
Përmes diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave u shqyrtuan qasjet dhe sfidat e ndryshme kombëtare në zbatimin e standardeve evropiane për lirinë e mediave, si dhe mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit ndërparlamentar në këtë fushë.
Pjesëmarrja e delegacionit të Komisionit për Kulturë dhe Turizëm përbënte një mundësi për njohje të drejtpërdrejtë me politikat dhe praktikat aktuale evropiane në fushën e lirive mediatike, shkëmbim përvojash me përfaqësues të parlamenteve kombëtare dhe institucioneve evropiane, si dhe kontribut në dialogun ndërparlamentar për mbrojtjen dhe përmirësimin e pluralizmit mediatik, pavarësisë së mediave dhe vlerave demokratike.



