Në Serbi janë arrestuar tetë policë për shkak të vdekjes së vëllait të të akuzuarit për vrasjen e Dankës Iliq

Në Serbi janë arrestuar tetë policë për shkak të dyshimit se janë të lidhur me vdekjen e Dalibor Dragijeviq në stacionin policor në Bor. Ai ishte vëllai i Dejan Dragijeviq, një nga dy të akuzuarit për vrasjen e dyvjeçares Dankë Iliq, transmeton "Nova.rs".
Sipas informacioneve jozyrtare, Prokuroria e Lartë në Nish mund të urdhërojë arrestime shtesë. Të arrestuarit janë anëtarë të Njësisë për aksione speciale pranë Drejtorisë së Policisë Kriminale.
Dalibor Dragijeviq u arrestua më 6 prill 2024, nën dyshimin se i kishte ndihmuar vëllait të fshehë trupin e vajzës. Ai vdiq ditën tjetër gjatë mbajtjes në polici.
Edhe pse Ministria serbe e Punëve të Brendshme fillimisht njoftoi se kishte vdekur nga shkaqe natyrore, obduksioni tregoi se vdekja kishte ardhur si pasojë e lëndimeve të rënda trupore, përfshirë brinjë të thyer dhe shumë mavijosje në trup, raportojnë mediat.
Arrestimet vijnë pasi javën e kaluar në Gjykatën e Lartë në Negotin filloi gjykimi i Dejan Dragijeviq dhe Srđan Jankoviq, të akuzuar për vrasje të rëndë të Dankës Iliq, e cila u zhduk më 26 mars 2024 në Banjskë Polje pranë Borit. Trupi i saj ende nuk është gjetur.
Të dy të akuzuarit mohojnë fajësinë dhe pretendojnë se pranimet fillestare u janë nxjerrë me dhunë fizike dhe kërcënime. Prokuroria kërkon për ta burgim të përjetshëm.



