„Axios": JD Vance u përplas me Netanyahu për luftën me Iranin

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance kritikoi ashpër kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në biseda private, duke e akuzuar se "gabonte për gjithçka" kur bëhej fjalë për Iranin. Për muaj me radhë, Vance i kishte paralajmëruar Donald Trump se lufta ishte jashtëzakonisht e papopullarizuar mes amerikanëve dhe se mund t'u kushtonte republikanëve fitoren në zgjedhjet për Kongres, raporton "Axios".
Sipas burimeve të njohura me diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, Vance udhëhoqi një grup këshilltarësh të Trumpit që mbështetnin arritjen e një marrëveshjeje me Iranin dhe përfundimin e luftës. Megjithatë, pavarësisht këtyre paralajmërimeve, Trump po konsideronte kryerjen e sulmeve të mëdha ushtarake – madje edhe në periudhën menjëherë para zgjedhjeve më 3 nëntor.
Ndërkohë, kryeministri izraelit Netanyahu ushtronte presion mbi Trumpin për të kryer sulme shtesë ndaj Iranit. Në fund, presidenti amerikan vendosi të përmbahej; megjithatë, në kundërshtim me këshillat e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, ai i dha mbështetje Netanyahut gjatë zgjedhjeve në Izrael që u mbajtën javën e kaluar.
"Humbëm zgjedhjet për shkak të luftës"
Pas humbjes së rëndë të republikanëve, Vance pranoi publikisht se lufta me Iranin ishte një faktor kyç për dështimin e tyre zgjedhor. Në një postim në rrjetin social "X" të mërkurën, ai e lidhi në mënyrë të qartë humbjen e shumicës republikane në Senat me vendimin e Trump për të hyrë në luftë. "Arsyeja pse humbëm është lufta. Vetë presidenti e tha këtë mbrëmë. Nëse doni të pretendoni se ia vlente – që humbja e Senatit për gjashtë vitet e ardhshme ia vlente – ju lutem, bëjeni", shkroi Vance.
"Por të gjithë e dinë pse humbëm. Dhe çdo bisedë e sinqertë për atë se si të ecim përpara duhet të fillojë pikërisht nga aty", shtoi zëvendëspresidenti amerikan, i cili gjithashtu përmendi marrëdhënien e SHBA-së me Izraelin si një problem serioz politik për republikanët. Dje, Trump i tha gazetarëve se analiza e Vance ishte "kryesisht e saktë", pasi lufta kishte çuar në rritjen e çmimeve të karburanteve.
Megjithatë, ai vazhdoi të mbrojë operacionin ushtarak kundër Iranit, duke pretenduar se nuk kishte zgjedhje tjetër. "Nuk kishim zgjedhje. Nuk mund të lejoni që Irani të ketë armë bërthamore", tha Trump. Kur u pyet se kur kishte ndërmend të përfundonte luftën, ai u përgjigj: "Kur të dua. Por duhet bërë si duhet, sepse ata nuk duhet të kenë armë bërthamore."



