Gjermania para një sfide politike: AfD rritet, ndërsa muri mbrojtës i partive tradicionale dobësohet

Izolimi politik i së djathtës ekstreme Alternativa për Gjermaninë (AfD) po fillon të dobësohet, dhe paralajmërimi i kancelarit gjerman Friedrich Merz se ekstremizmi po depërton në sistemin parlamentar është treguesi më i fundit për këtë, shkruan "Reuters".
Në landin gjerman Saksoni-Anhalt, të paktën katër deputetë nga partitë tradicionale, sipas rezultateve të votimit, me shumë gjasa kanë shkelur udhëzimet partiake dhe kanë mbështetur zgjedhjen e kryetarit të parë të parlamentit të landit nga radhët e AfD-së.
Kandidati i AfD-së, Tobias Raush, ka marrë 48 vota, katër më shumë se numri total i deputetëve të AfD-së dhe Lidhjes së Majtë të Sahra Wagenknecht (BSV). Duke qenë se votimi ishte sekret, dyshimet ranë mbi 15 deputetë të Bashkimit Kristian-Demokratik (CDU) të Merzit, të cilëve u ishte urdhëruar të abstenonin.
Zëvendëskryetarja e CDU-së, Karin Prien, paralajmëroi se nëse konfirmohet që deputetë nga partia e saj kanë mbështetur kandidatin e AfD-së, "do të ketë pasoja".
AfD, e cila për më shumë se një vit në sondazhet kombëtare ka mbështetje më të madhe se CDU-ja, e ka vlerësuar zgjedhjen si "një kthesë politike". Partia, e cila angazhohet për kufizimin e emigracionit dhe rivendosjen e lidhjeve energjetike me Rusinë, paralajmëron se qëllimi i saj është fitorja në zgjedhjet federale të vitit 2029.
"Për herë të parë u bë e qartë se ashtuquajturi 'muri mbrojtës' nuk duhet domosdoshmërisht të jetë më i fortë se liria e veprimit e deputetëve", deklaroi Martin Rajhard, kreu i AfD-së në Saksoni-Anhalt.
Strategjia deri tani e partive tradicionale gjermane, e njohur si "muri mbrojtës", nënkupton refuzimin e çdo bashkëpunimi politik me AfD-në. Kjo deri tani ka penguar hyrjen e partisë në një qeveri koalicioni.
Merz vazhdon ta refuzojë kategorikisht çdo marrëveshje me AfD-në, për të cilën pretendon se ka qëllim shkatërrimin e CDU-së. Çështja do të shqyrtohet në një takim të drejtuesve partiakë të dielën dhe të hënën. Në Saksoni-Anhalt, ku AfD-së i mungojnë vetëm tre vende deputetësh për shumicë absolute, ende nuk është e qartë nëse partia do të arrijë të formojë qeverinë. Përfaqësuesi i saj, Ulrih Zigmund, pretendon se mund të bindë mjaftueshëm deputetë nga partitë e tjera që të mbështesin zgjedhjen e tij për kryeministër të landit deri në fund të vitit.
Shërbimet gjermane të sigurisë kanë klasifikuar degë të caktuara të AfD-së, përfshirë atë në Saksoni-Anhalt, si ekstremiste. Shërbimi Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) ka përgatitur vitin e kaluar një raport konfidencial prej 1,100 faqesh, në të cilin ka përfunduar se partia nxit urrejtje ndaj migrantëve, racizëm dhe islamofobi. AfD-ja i mohon këto vlerësime.
Sipas analizës së Reuters, ngritja e AfD-së lidhet edhe me problemet ekonomike, rënien e standardit të jetesës, pasojat e luftës në Ukrainë dhe pakënaqësinë e qytetarëve ndaj partive tradicionale. Mbështetja është veçanërisht e fortë në pjesën lindore të Gjermanisë.
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier kohët e fundit paralajmëroi se ndarjet politike në rritje dhe ndjenja e pasigurisë po minojnë besimin në sistemin demokratik.
"Sot bëhet fjalë për mbijetesën e demokracisë. Duhet të qëndrojmë në mbrojtje të asaj që vazhdon të jetë e rëndësishme", u shpreh Steinmeier



