Gjyqi e hodhi poshtë padinë e Trump ndaj “Wall Street Journal”: çështja e kontestuar ishte publikimi i një urimi që presidenti amerikan thuhet se ia kishte dërguar Epsteinit

Një gjykatës amerikan hodhi poshtë padinë e Donald Trump ndaj “Wall Street Journal”, me vlerë 10 miliardë dollarë. Në arsyetimin e tij, ai tha se me këtë padi "po përpiqen të shpikin mangësi" në punën e gazetës, transmeton BBC.
Vitën e kaluar, Trump paditi Dow Jones – pronarin e gazetës – dhe kreun e kompanisë, Rupert Murdoch. Çështja e kontestuar ishte publikimi i një urimi që Trump thuhet se ia kishte dërguar në vitin 2003 Jeffrey Epsteinit, një kriminel seksual i njohur. Kjo ndodhi para se Epstein të akuzohej për krime seksuale.
Artikulli u publikua në verën e vitit 2025, në një periudhë kur administrata e Trump ishte nën kritika nga të dy partitë kryesore politike në SHBA për përpjekjet për të fshehur dokumente të lidhura me Epsteinin. Trump mohon se e ka shkruar ose nënshkruar urimin e kontestuar.

Foto: Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së
Vendim gjyqësor
Gjyqtari Darin Gails hodhi poshtë çështjen me arsyetimin se padia është në kundërshtim me Amendamentin e Parë të Kushtetutës së SHBA-së, i cili mbron lirinë e shtypit. Gails më parë kishte hedhur poshtë këtë padi për shpifje, në të cilën fillimisht kërkohej dëmshpërblim prej 20 miliardë dollarësh. Ekipi ligjor i Trump më pas e paraqiti përsëri padinë me kërkesë të reduktuar, por këtë herë gjyqtari e hodhi poshtë me një ndalim të përhershëm për ngritjen e një procedure të re.
Në vendimin e tij prej 20 faqesh, Gails theksoi "hetimin themelor dhe të kujdesshëm" të gazetës. Ai shkroi se ekipi ligjor i Trump nuk arriti të provojë se të paditurit kishin publikuar deklarata shpifëse me "keqdashje të vërtetë" (actual malice) – një standard ligjor i nevojshëm në raste të tilla.



