Masakër në Ukrainë, droni rus godet njerëzit që prisnin trenin – të paktën 13 të vrarë

Një sulm rus me dron në peronin e një stacioni hekurudhor në qytetin qendror ukrainas Dnipro rezultoi me të paktën 13 të vrarë dhe të paktën pesë të plagosur, konfirmuan autoritetet rajonale.
Kreu i administratës ushtarake rajonale të Dnipropetrovsk, Oleksandr Khanja, raportoi fillimisht për sulmin ndaj një objekti të infrastrukturës së transportit, duke theksuar se shërbimet e emergjencës janë në terren. Pak më vonë, ai konfirmoi shifrat e zeza: 13 të vrarë dhe të paktën pesë të plagosur, të cilëve po u ndihmojnë mjekët.
Kompania shtetërore hekurudhore "Ukrzaliznytsia" njoftoi se një dron rus me motor me reaktor goditi peronin, pranë trenit numër 866, i cili operonte në linjën nga Dnipro drejt Zaporizhzhia.
Edhe pse ishte lëshuar alarm për shkak të rrezikut të shtuar nga ajri, në momentin e goditjes në peron kishte një numër të madh civilësh, njoftoi operatori hekurudhor. Vendi i sulmit është siguruar nga policia, shpëtimtarët dhe ekipet mjekësore, ndërsa në kanalet lokale në "Telegram" tashmë po shpërndahen fotografitë e para nga peroni, që tregojnë shkallën e shkatërrimit.
Kjo goditje vdekjeprurëse ndaj infrastrukturës hekurudhore në Dnipro kujton masakrën në stacionin hekurudhor në Kramatorsk, në Ukrainën lindore, në prill 2022, një sulm ku humbën jetën 61 persona dhe u plagosën më shumë se 160.
Në atë kohë, në stacion ishin mbledhur rreth 4,000 civilë që prisnin trenat për evakuim ndërsa forcat ruse po avanconin. Më 8 prill, stacioni në Kramatorsk u godit nga një raketë "Tochka-U", për të cilën besohet se ishte e pajisur me municion kasetë. Stacioni u rihap vetëm në tetor 2022, gjashtë muaj pas sulmit.
Hetimi i kryer nga organizata jofitimprurëse "Qendra për Rezistencë Informative" (CIR) konfirmoi se të gjitha provat e disponueshme tregojnë për përgjegjësinë e Rusisë. Hetuesit identifikuan tre vende të mundshme lansimi në territorin e okupuar nga Rusia, duke përfunduar se raketa më së shumti u lëshua nga afër fshatit Shakhtne, në lindje të Donetskut. Në atë kohë, Moska mohoi përgjegjësinë duke pretenduar se nuk përdorte më raketa "Tochka-U" dhe duke e hedhur poshtë masakrën si një provokim ukrainas, ndërsa Prokuroria ukrainase po mblidhte prova për përgjegjësinë ruse.
foto/Depositphotos/ilustrim



