E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

NATO ka "teorinë e fitores" në rast lufte me Rusinë

12.10.2026, 08:50

Pritet që komandanti më i lartë ushtarak i NATO-s sot të dërgojë një paralajmërim ndaj Rusisë lidhur me aftësinë e Aleancës për t'iu përgjigjur çdo sulmi. Ky mesazh vjen në një kohë shqetësimi të shtuar për shkak të kërcënimeve nga Moska, transmeton "Kiev Post".

"Teoria e fitores" si përgjigje ndaj sabotazhit
Përfaqësues të NATO-s njoftuan se gjenerali amerikan Alexus Grinkevich, Komandanti Suprem Aleat për Evropën, do të prezantojë "teorinë e tij të fitores" në rast sulmi, në një konferencë sigurie në Varshavë. Me këtë hap, NATO synon të dërgojë një mesazh në Moskë për të ndaluar fushatën e saj hibride të sabotazhit dhe ndërhyrjes, për të cilën përfaqësuesit perëndimorë pretendojnë se është drejtuar kundër aleatëve të Ukrainës.

Në muajt e fundit është rritur shqetësimi për dyshimet se Kremlini po intensifikon aktivitetet e tij. Kjo pasoi një seri incidentesh serioze, përfshirë zbulimin e një droni të mbushur me eksploziv në një aeroport gjerman.

"Teoria e fitores" e Komandantit Suprem Aleat për Evropën është e thjeshtë: ruajtja e avantazhit të NATO-s. Ajo është e koordinuar dhe bazohet në planet e Aleancës për shmangie dhe mbrojtje", deklaroi javën e kaluar koloneli Martin O’Donell, zëdhënës i gjeneralit amerikan.

"Megjithatë, në një mjedis global sigurie të paqëndrueshëm dhe kompleks, duhet menjëherë të krijojmë kushtet për të shmangur agresionin dhe, nëse është e nevojshme, të dalim fitimtarë në rast sulmi", tha O’Donell. Ai shtoi se kjo teori vendos kornizën pikërisht për këtë.

Sinyal për Moskën dhe sigurim për aleatët
NATO u themelua pas Luftës së Dytë Botërore për t'u përballur me Bashkimin Sovjetik dhe tradicionalisht ruan planet e saj mbrojtëse për përgjigje ndaj një sulmi të mundshëm rus si shumë konfidenciale.

Nuk pritet që prezantimi i Grinkevich të zbulojë shumë detaje të reja për strategjinë e NATO-s. Qëllimi kryesor është të dërgohet një sinjal në Moskë, ndërsa njëkohësisht të jepet siguri vendeve anëtare të krahut lindor të Aleancës.

NATO pretendon se është një aleancë ekskluzivisht mbrojtëse pa qëllim për të sulmuar Rusinë.

Përballja me sulmet hibride
Përfaqësuesit perëndimorë pretendojnë se sulmet hibride të Moskës janë bërë gjithnjë e më pak të kujdesshme pasi forcat e Kremlinit u ndalën në Ukrainë. Ata gjithashtu paralajmërojnë se veprime të tilla mund të rezultojnë në viktima të konsiderueshme njerëzore. Aleanca, e cila ka si qëllim kryesor shmangien e një invazioni të armatosur rus, kërkon mënyra për t'iu përgjigjur incidenteve në "zonën gri" që nuk shndërrohen në konflikt të hapur.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i bëri thirrje vendeve anëtare të qëndrojnë të qeta dhe të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.

"Nuk duhet të jemi naive kur bëhet fjalë për Rusinë, por ata e dinë që ne jemi më të fortë", deklaroi Rutte muajin e kaluar.

Vulnerabiliteti evropian dhe forcimi i mbrojtjes
Megjithatë, aktivitetet e shtuar ruse ndodhin në një periudhë vulnerabiliteti të mundshëm evropian. Aleatët po përgatiten për një mundësi të zvogëlimit të forcave amerikane në Evropë, dhe Pentagoni po kryen një rishikim të vendosjes së trupave të tij në kontinent. Pritet që rezultatet e këtij rishikimi të publikohen në fund të vitit.

Vendet evropiane tashmë po përshpejtojnë forcimin e kapaciteteve të tyre ushtarake për shkak të dyshimeve serioze lidhur me besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump.

Lajme të ngjashme