Jotova: Eskalimi i luftës po e shndërron Detin e Zi në një zonë lufte

Bullgaria dënon ashpër sulmet ndaj dy anijeve tregtare në Detin e Zi dhe insiston në një hetim të shpejtë të incidenteve, deeskalim diplomatik dhe zbatimin e rekomandimeve të Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare. Kjo thuhet në qëndrimin e shprehur nga presidente e Bullgarisë, Iliana Jotova, pas sulmeve ndaj anijeve „CHELSEA 3“ dhe „HS Dignity“ pranë bregut bullgar.
„Bullgaria dënon ashpër rastet më të fundit të sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi, të cilat përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe detare“, thuhet në deklaratë.
Anija „CHELSEA 3“, që lundronte nën flamurin maltez, u godit nga tre dronë në 17 milje detare në lindje të Varnës. Anija „HS Dignity“, që lundronte nën flamurin e Guineas-Bisao, u fundos në 15 milje detare në lindje të Krapecit.
Në deklaratë theksohet se, pas reagimit të Qendrës së Koordinimit të Shpëtimit Detar në Varnë, u shpëtua i gjithë ekuipazhi i anijes së parë, si dhe detarët e anijes së dytë. Në operacionet e shpëtimit marrin pjesë forcat e armatosura, policia kufitare dhe Agjencia Ekzekutive „Administrata Detare“.
Sipas Jotovës, sulmet rrezikojnë lirinë e lundrimit dhe sigurinë e zinxhirëve të furnizimit, duke përfaqësuar një rrezik të konsiderueshëm për Bullgarinë.
„Eskalimi i luftës ka çuar në rritjen e incidenteve pranë bregut bullgar dhe po e shndërron Detin e Zi në një zonë lufte“, thuhet në deklaratë.
Në qëndrim bëhet thirrje që Bullgaria, së bashku me aleatët dhe partnerët e saj, të bëjë përpjekjet maksimale për një hetim të shpejtë të incidenteve dhe për deeskalim të konfliktit përmes diplomacisë dhe negociatave.
„Është thelbësore të zbatohen urgjentisht rekomandimet e Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare të mbajtur më 7 tetor 2026“, theksohet në deklaratë.



