Një avion nga Londra u ul pa plan në aeroportin "Varshava-Modlin" për shkak të kërcënimit me bombë

Një avion që fluturonte nga Londra për në Varshavë sot bëri një ulje të paplanifikuar në aeroportin "Varshava-Modlin" për shkak të një njoftimi për një pajisje shpërthyese në avion, pas së cilës aeroporti u mbyll, njoftuan përfaqësuesit e aeroportit.
Avioni u ul në Modlin në orën 10:01 të mëngjesit, me 181 persona brenda, deklaroi zëdhënësi i aeroportit Varshava-Modlin, Adam Shablovski, transmeton "TVN24".
Ai shtoi se ekipet piroteknike po presin.
Avioni fillimisht duhej të ulej në aeroportin Varshava "Chopin", por u ridrejtuar drejt "Modlin".
Sipas njoftimit të aeroportit, në orën 9:54 të mëngjesit u shpall alarm për shkak të një kërcënimi të raportuar me bombë në avionin që fluturonte në linjën Londër "Heathrow" – Varshava "Chopin".
Në momentin e uljes, avioni kishte 3.7 ton karburant, sipas shkrimeve.
"Pas uljes, avioni u dërgua në vendin e caktuar, ku do të qëndrojë deri në vendime dhe urdhra të mëtejshëm nga shërbimet kompetente, duke përfshirë edhe ekipet piroteknike", thuhet në njoftim, transmeton Tanjug.
Aeroporti "Varshava-Modlin" mbetet i mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm, ndërsa shërbimet kompetente po verifikojnë kërcënimin e raportuar dhe po marrin masa për sigurinë e të gjithë personave në aeroport.
"Siguria e pasagjerëve, ekuipazhit dhe punonjësve të aeroportit është prioritet në këtë moment", thuhet në njoftim, me paralajmërimin se informacionet për ndryshime të mundshme në situatë dhe rifillimin e trafikut ajror do të publikohen më vonë.



