OBSH pret përgjigje nga Rusia për vdekjen e laborantes, dyshimet për murtajën pulmonare mbeten të pakonfirmuara

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ende pret informacione zyrtare nga autoritetet ruse për diagnozën e laborantes nga Siberia, vdekja e së cilës ngjalli dyshime për një infeksion të mundshëm me murtajën pulmonare.
Nga OBSH thonë se deri tani nuk ka një diagnozë të konfirmuar dhe se ende nuk disponojnë me mjaftueshëm informacione për të vlerësuar plotësisht rrezikun për shëndetin publik.
Autoritetet ruse më parë njoftuan se pas testimit të personave që ishin në kontakt me punonjësen e ndjerë në Institutin e Kërkimit për Murtajën në Irkutsk, nuk zbuluan shenja të sëmundjes ngjitëse. Ata i hodhën poshtë si të rreme informacionet mediatike për një infeksion të mundshëm me patogjenin e rrezikshëm.
Sipas autoriteteve ruse, gruaja vdiq nga pneumonia, nga e cila u sëmur pas kontaktit me njerëz jashtë laboratorit. Ata gjithashtu thanë se ajo ishte vaksinuar dhe kishte imunitet ndaj patogjenëve të rrezikshëm me të cilët punonte.
Megjithatë, OBSH dje njoftoi se rreth rastit ende ka paqartësi të konsiderueshme dhe se nuk është konfirmuar një diagnozë e saktë.
Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara me seli në Gjenevë njoftoi se do të vazhdojë të ndjekë situatën dhe të vlerësojë pasojat e mundshme për shëndetin publik ndërsa do të vijnë informacione të reja.



