Plenkoviq: Fituesit e zgjedhjeve në Serbi kanë një përgjegjësi të madhe

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq deklaroi sot se ka biseduar me liderin e Listës së Studentëve, Ilija Srdanoviq, pas fitores në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, dhe shprehu pritshmërinë që marrëdhëniet mes dy vendeve do të përmirësohen.
Plenkoviq vlerësoi se qytetarët e Serbisë kanë dërguar një mesazh të qartë në zgjedhje se duan ndryshime, por gjithashtu theksoi se fituesit tani kanë një përgjegjësi të madhe.
"Mesazhi i qytetarëve të Serbisë është shumë i qartë, ata dëshironin ndryshim", tha Plenkoviq, duke shtuar se kjo është një situatë krejtësisht e re politike në Serbi, ku skena politike praktikisht është ndarë në dy blloqe.
Ai shprehu shpresën që autoritetet e reja në Serbi do t'i kushtojnë vëmendje përmirësimit të marrëdhënieve me vendet fqinje.
"Shpresojmë që marrëdhëniet me vendet fqinje të jenë në fokusin e tyre. Besojmë se në procesin e vendimmarrjes së përbashkët, ata do të vendosin edhe për pushtetin ekzekutiv, sa kuptoj unë, kjo ende nuk është vendosur", deklaroi Plenkoviq.
Duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë marrëdhëniesh pret me Serbinë, kryeministri kroat tha se shpreson për përmirësim.
"Sa i përket mesazheve që liderët e Listës së Studentëve dërguan dje, mendoj se ishin shumë të arsyeshme. Fakti që Aleksandar Vuçiç e pranoi menjëherë humbjen tregon se tranzicioni, nëse mund ta vlerësoj, duhet të jetë i qetë. Sa do të zgjasë, nuk mund të them", tha Plenkoviq.
Këtë e tha për gazetarët gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e Spitalit të ri Kombëtar për Fëmijë në Zagreb.
Plenkoviq shtoi se Lista e Studentëve do të duhet të gjejë vetë zgjidhje për problemet me të cilat përballet shoqëria serbe.
Duke folur për anëtarësimin e Partisë Progresive Serbe në Partinë Popullore Evropiane (PPE), ai deklaroi se aktualisht nuk mund të thotë saktësisht se çfarë pret nga partia.



