Spanja ende kërkon viktimat e aksidentit hekurudhor, janë identifikuar 66 të vdekur

Instituti i mjekësisë ligjore dhe shkencave forenzike i Toledo dhe Ciudad Real ka identifikuar 66 nga 69 personat që humbën jetën në aksidentin hekurudhor që ndodhi të mërkurën e kaluar në Urda, në provincën spanjolle të Toledo, sipas të dhënave të dorëzuara mbrëmë nga Qendra e Integruar e të Dhënave (CID), ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë sot kërkimin për mbetje njerëzore, dhe identifikimi i të gjithë të vdekurve në aksident po vazhdon gjithashtu.
Numri paraprak i viktimave mbetet 69, sipas njoftimit të publikuar nga CID të dielën në mbrëmje, i cili u publikua nga "Pais" këtë mëngjes.
Njoftimi thekson se 54 nga 66 viktimat janë shtetas spanjollë, katër prej tyre janë amerikanë, ndërsa midis të vdekurve ka nga një argjentinas, kanadez, çek, francez, japonez, meksikan, portugez dhe tunizian.
Pritet që tre personat e mbetur të vdekur, për të cilët besohet se janë shtetas të huaj, të identifikohen në orët në vijim kur familjet e tyre, të cilat janë gjetur, të arrijnë në Spanjë për të përfunduar personalisht procesin e identifikimit.
Këto të dhëna janë mbledhur nga Qendra e Integruar e të Dhënave (CID), e formuar pas aktivizimit të Protokollit Kombëtar për veprim mjekësor-ligjor dhe shkencor policor në incidente me shumë viktima.
Deri më sot, 53 nga 66 të vdekur janë identifikuar përmes analizës së gjurmëve të gishtërinjve të kryer nga Shërbimi Forenzik i Gardës Civile. Të tjerët 13 janë identifikuar me analizë ADN-je të kryer nga Instituti Kombëtar i Toksikologjisë në bashkëpunim me Shërbimin Forenzik të Gardës Civile.
Familjet janë njoftuar tashmë për 60 nga këto identifikime, përkatësisht për identifikimin e 36 burrave dhe 24 grave, ndërsa familjet e gjashtë personave të tjerë të identifikuar do të njoftohen sa më shpejt të jetë e mundur.
Njoftimi shton se 47 të vdekur janë dorëzuar tashmë familjeve të tyre dhe se procesi i identifikimit për të gjithë 69 të vdekurit vazhdon pa ndërprerje që nga e mërkura me rigorozitet dhe shpejtësi maksimale.
Sipas CID, tre raporte për persona të zhdukur janë ende aktive – për dy shtetas australianë dhe një shtetas japonez.
Ndërkohë, ekipet e shpëtimit vazhduan sot kërkimin për mbetje njerëzore në zonën e aksidentit hekurudhor në Urda.
Udhëheqësi i Partisë Popullore Spanjolle (PP), Alberto Núñez Feijóo, do të takohet sot në Madrid me udhëheqësit rajonalë dhe funksionarët më të lartë të partisë, pas periudhës kombëtare të zi, dhe takimi do të përqendrohet në rishikimin e strategjisë për fushatën parazgjedhore të 29 nëntorit, duke theksuar "qeverisjen, rigorozitetin dhe përvojën" e udhëheqësit të PP-së.
Ministri i Transportit, Óscar Puente, nesër do të paraqesë raportin e hetimit për aksidentin hekurudhor në Këshillin e Ministrave, dhe më pas do të paraqitet para Komitetit të Përhershëm të Kongresit, ku grupet opozitare dhe partnerët qeveritarë, siç është paralajmëruar, do të kërkojnë dorëheqjen e tij, sipas "Pais".



