E shtunë, 31 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Mbi 60 ekspertë forenzikë identifikojnë viktimat në Spanjë, familjet presin lajme për të zhdukurit

Ekipet forenzike në Spanjë kanë përfunduar obduksionet e 69 personave të vdekur në aksidentin hekurudhor, por deri tani janë identifikuar vetëm 36 viktima. Familjet e të zhdukurve janë mbledhur në Toledo, ku Garda Civile i ka paralajmëruar të "përgatiten për më të keqen", transmeton "Pais".

Nga 36 personat e identifikuar, familjet e 27 viktimave janë njoftuar tashmë. Kryetari i provincës Kastilja-La Mancha, Emiliano Garcia-Page, ka paralajmëruar se procesi i identifikimit është jashtëzakonisht i ndërlikuar.

Sipas tij, në morgje ndodhen 68 trupa, ndërsa një person ka vdekur në spital. Mbeturinat e gjetura gjatë nxjerrjes së vagonëve ende po identifikohen. Deri tani janë gjetur edhe 31 qese me mbetje të pjesshme mortore.

Identifikimi po kryhet sipas protokollit kombëtar spanjoll për trajtimin e aksidenteve me numër të madh viktimash, i cili është në fuqi që nga viti 2009. Në proces janë përfshirë organet gjyqësore, mjekët ligjorë, policia dhe Instituti Kombëtar për Toksikologji dhe Shkenca Forenzike.

Familjet e të zhdukurve së pari janë mbledhur në palestrën sportive të një shkolle shtetërore në Urda, dhe më pas janë transferuar në selinë e Gardës Civile në Toledo. Atje kanë raportuar anëtarët e familjes të zhdukur, kanë dhënë informacione për ta dhe kanë dorëzuar mostra për analizë ADN-je.

Në procedurë krahasohen të dhënat e mbledhura nga mbetjet mortore, duke përfshirë gjurmët e gishtave dhe ADN-në, me dokumentacionin mjekësor, imazhet dhe mostrat gjenetike nga anëtarët e familjeve.

Mbi 60 ekspertë marrin pjesë në identifikim. Kur numri i viktimave kalon 30, mostrat dërgohen në dy laboratorë për të përshpejtuar procesin.

Në mesin e të zhdukurve ka edhe shtetas të huaj. Nga 14 raportime që lidhen me shtetas të 10 vendeve, mostrat e ADN-së mblidhen edhe nga të afërmit e tyre jashtë vendit, me ndihmën e Interpolit.

Sipas të dhënave të së premtes në mbrëmje, nga gjithsej 72 raportime për persona të zhdukur, pesë persona janë gjetur gjallë, ndërsa 67 raportime mbeten aktive. Dy persona janë gjetur në spitale, ndërsa për një është konfirmuar se fare nuk është ngjitur në tren në ditën e aksidentit.

Në Kastilja-La Mancha në mbrëmjen e së premtes ishin hospitalizuar 39 persona. Nga këta, 17 ishin në repartet e kujdesit intensiv, ndërsa 22 ishin të vendosur në reparte të tjera spitalore.

Lajme të ngjashme