Artan Grubi del nga paraburgimi

Tetë muaj pas arrestimit të tij, ish-zëvendëskryeministri, Artan Grubi, i cili është i dyti i akuzuar në rastin me "Loterinë Shtetërore", sot del nga paraburgimi shtëpiak dhe do të mbrohet në liri.
Java e kaluar, Gjykata Penale njoftoi se ai ka ofruar garanci nga pasuri e paluajtshme në vlerë prej 335.707 euro për heqjen e masës me të cilën i është marrë pasaporta.
"Propozimi i aktakuzës, për të cilin është regjistruar rasti penal, është dorëzuar më 13 gusht 2026. Sipas nenit 470 të Kodit të Procedurës Penale, paraburgimi mund të zgjasë maksimumi 60 ditë nga dita e dorëzimit të propozimit të aktakuzës. Për këtë arsye, siç u theksua më parë, dhe po ashtu u potencua nga gjyqtari që vepron në këtë rast, me fuqi të ligjit, masa e paraburgimit shtëpiak për këtë të akuzuar skadon më 13 tetor 2026", njoftoi Gjykata Penale.
Masa për marrjen e pasaportës, nga ana tjetër, vazhdon të vlejë, por Grubi ka dorëzuar garanci mbi 330.000 euro për ta hequr atë.
"Gjithashtu, përveç masës së paraburgimit shtëpiak, ndaj të akuzuarit është caktuar edhe masa shtesë e kujdesit, pra marrja e përkohshme e dokumentit të udhëtimit dhe ndalimi për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit ose të tjera për kalimin e kufirit shtetëror, e cila do të vazhdojë të vlejë edhe pas skadimit të 60 ditëve të parashikuara ligjërisht", thonë nga Gjykata.
Grubi u arrestua në shkurt në pikën kufitare "Blace". Kundër tij u shpall urdhër arrest ndërkombëtar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në një rast të lidhur me Loterinë Shtetërore. Në rast është i dyshuar edhe Perparim Bajrami, ndërsa hetimi lidhet me një keqpërdorim të pretenduar prej rreth tetë milionë eurosh përmes blerjes së aparateve VLT.



