E premte, 6 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

I arrestuar nga Gostivari: e detyronte nënën e tij 80-vjeçare të kërkonte lëmoshë, ngritur aktakuzë për "tregti me njerëz"

Sot, Njësia Kombëtare për Parandalimin e Trafikimit të Migrantëve dhe Tregtisë me Njerëz pranë Sektorit për Hetime Kriminale në Departamentin për Parandalimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë, nën drejtimin e Prokurorit Publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ngriti aktakuzë kundër N.N.(60) nga Gostivari për kryerjen e veprës penale "tregti me njerëz", sipas nenit 418-a, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Gjatë viteve 2025 dhe 2026, N.N. kreu veprën me qëllim përfitimi të paligjshëm material, duke shfrytëzuar gjendjen e dobët dhe varësinë e nënës së tij Z.S.(80) nga Gostivari, si dhe paaftësinë e saj fizike (ajo lëviz me karrocë invalidi dhe nuk kryen vetë aktivitetet e përditshme), dhe e detyronte atë të kërkonte lëmoshë.

Saktësisht, N.N. për një periudhë të gjatë kohore e çonte vazhdimisht nënën e tij në një vend në Gostivar, dhe e ekspozonte në shfrytëzim pune përmes kërkimit të lëmoshës, ndërsa gjatë gjithë kohës ishte i pranishëm në afërsi të saj, e mbikëqyrte dhe kontrollonte aktivitetin e saj, pas së cilës në mënyrë të dhunshme dhe të papërgjegjshme i merrte paratë, të cilat më pas i përdorte për nevojat e tij.

Bazuar në urdhër gjyqësor të lëshuar nga Gjykata Themelore Penale Shkup, në rajonin e Gostivarit u krye bastisje në shtëpinë dhe hapësirat e tjera të N.N., ku personi u arrestua.

Gjatë bastisjes u gjetën dhe u sekuestruan përkohësisht telefona celularë dhe mjete monetare që rrjedhin nga kryerja e veprës penale.

Lajme të ngjashme