MPB-ja ngriti padi penale për dhunën para “Jane Sandanski”, janë arrestuar tre persona

SPB Shkup ngriti padi penale për dhunë kundër P.A., lidhur me incidentin e djeshëm para qendrës sportive “Jane Sandanski” në Shkup, kur një grup prej rreth 30 anëtarësh të grupit të tifozëve “Family” sulmuan fizikisht rreth 50 tifozë të KK “Rabotniçki”. Në sulm, një djalë 16-vjeçar nga Shkupi pësoi lëndime të rënda trupore.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme, tifozët e “Rabotniçkit” po prisnin të hynin në ndeshjen sportive kur u sulmuan.
P.A. është privuar nga liria, dhe me udhëzime të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, kundër tij është ngritur padi penale në procedurë të shpejtë, për veprën penale “dhunë” sipas nenit 386, paragrafët 4 dhe 6 të Kodit Penal.
Lidhur me incidentin, punonjësit e policisë arrestuan edhe M.M. (18) dhe D.P. (18), të dy nga Shkupi.
SPB Shkup njofton se vazhdon thirrja e personave për të cilët do të konfirmohet se kanë marrë pjesë në dhunë, pas së cilës kundër tyre do të ngrihen padi të përshtatshme.
MPB apelon tek grupet e tifozëve për sjellje të drejtë dhe sportive, duke theksuar se policia nuk do të tolerojë dhunë.



