Komuna e Gazi Babës: Skrining falas oftalmologjik për të gjithë nxënësit në shkollat fillore komunale

Komuna e Gazi Babës ka filluar me realizimin e një projekti për përmirësimin e shëndetit të të rinjve – skrining falas dhe gjithëpërfshirës oftalmologjik për të gjithë nxënësit në shkollat fillore komunale.
Me këtë projekt, Komuna e Gazi Babës bëhet komuna e parë në Maqedoni që organizon këtë lloj skriningu falas oftalmologjik për të gjithë nxënësit në shkollat e saj fillore, njoftuan nga aty.
Me rastin e fillimit të projektit, kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski, sot vizitoi SHF "Krum Toshev" në Trubarevë, ku filluan aktivitetet e para për realizimin e skriningut oftalmologjik.
Aktivitetet në ditët në vijim do të vazhdojnë edhe në të gjitha shkollat e tjera fillore komunale në territorin e Gazi Babës.
Pas vizitës, kryetari Boban Stefkovski theksoi:
"Shëndeti i fëmijëve është përgjegjësia jonë më e madhe, dhe mirëqenia e tyre duhet të jetë prioritet i çdo vetëqeverisjeje lokale. Pikërisht për këtë arsye fillojmë me realizimin e këtij projekti të rëndësishëm, përmes të cilit të gjithë nxënësve në shkollat fillore në Gazi Babë u mundësojmë skrining falas oftalmologjik. Shpeshherë problemet me shikimin tek fëmijët mbeten të pazbuluara, ndërsa ato mund të ndikojnë drejtpërdrejt në mësimin, përqendrimin dhe zhvillimin e tyre të duhur. Me zbulimin dhe parandalimin në kohë mund të bëjmë shumë për shëndetin dhe të ardhmen e tyre.
Jam veçanërisht krenar që Gazi Baba është komuna e parë në Maqedoni që realizon këtë projekt në këtë mënyrë. Shpreh falënderim të sinqertë për Promedika dhe Sistina Oftalmologjia për përgjegjësinë shoqërore të treguar dhe mbështetjen në realizimin e projektit.
Vazhdojmë të punojmë me përkushtim, me projekte dhe vepra konkrete, sepse fëmijët tanë janë e ardhmja jonë, dhe shëndeti i tyre është prioriteti ynë", theksoi Stefkovski.
Qëllimi i projektit është zbulimi në kohë i problemeve të mundshme me shikimin tek fëmijët, mundësimi i parandalimit të hershëm dhe referimi për kontrolle të mëtejshme oftalmologjike nëse konstatohet nevoja për këtë.



