E hënë, 2 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Ministria e Shëndetësisë apelon: Kontrolloni statusin e vaksinimit – Vaksina MMR është mbrojtja më e sigurtë kundër fruthit

Në vend janë regjistruar katër raste laboratorike të konfirmuara të fruthit, prej të cilave një i importuar, në kohën kur në Kosovë dhe Bullgari po zhvillohen epidemitë. Sipas vlerësimit të Institutit të Shëndetit Publik, rreziku nga raste të reja është rritur, por për momentin nuk ka përhapje më të gjerë në nivel kombëtar. Të gjithë të sëmurët janë të pavaksinuar, ndërsa dy janë foshnja që për shkak të moshës ende nuk kanë mundur të vaksinohen.

Shërbimet epidemiologjike identifikojnë dhe ndjekin të gjitha kontaktet. Të gjitha institucionet publike dhe private shëndetësore kanë marrë protokollin për njohjen e hershme, triagjinë dhe izolimin. Kopshtet dhe shkollat kanë marrë udhëzime për masat parandaluese.

"Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse, por mund të mbrohemi prej tij. Dy doza të vaksinës MMR janë mbrojtja më e sigurtë. I bëj thirrje prindërve të kontrollojnë kartonin e vaksinimit të fëmijëve, ndërsa të rriturve që nuk janë të sigurt nëse janë vaksinuar të konsultohen me mjekun amë. Me këtë mbrojmë edhe foshnjat, të cilat janë shumë të vogla për vaksinim", deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sašo Klekovski.

Ministria u bën thirrje qytetarëve:
– të plotësojnë dozat e humbura të vaksinës MMR në pikën më të afërt të vaksinimit;
– në rast temperature të lartë, kollë, sy të kuq dhe skuqje të qëndrojnë në shtëpi dhe së pari të telefonojnë mjekun amë, në vend që të shkojnë direkt në sallën e pritjes;
– nëse kanë qenë në kontakt me person të sëmurë, menjëherë të kontaktojnë mjekun amë ose Qendrën për Shëndet Publik.
– të mos dërgojnë fëmijë të sëmurë në kopsht ose shkollë.

Ministria, Instituti i Shëndetit Publik dhe qendrat për shëndet publik monitorojnë vazhdimisht situatën dhe do të informojnë publikun për çdo ndryshim.

Lajme të ngjashme