(Video) Levica: Në Maqedoni ka më shumë pika të nxehta mjedisore që pas tyre kanë lënë mbeturina kancerogjene

Në seancën e sotme të Komisionit për transport, transformim digjital, mjedis jetësor dhe planifikim hapësinor, u miratua amendamenti i Levicës për fshirjen e nenit 13 nga propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mjedisin jetësor. Me këtë, sqaron partia, parandalohen heqja e kornizës ligjore për identifikimin, menaxhimin dhe sanimin e zonave të kontaminuara, pra pikave të nxehta mjedisore në Maqedoni.
Duke arsyetuar amendamentin, deputeti i Levicës, Saško Jançev, paralajmëroi se shteti në vend që të sanojë trashëgiminë e rrezikshme industriale, propozon heqjen e mekanizmave ligjorë me të cilët këto probleme duhet të zgjidhen në mënyrë sistematike.
"Në Maqedoni ka më shumë pika të nxehta mjedisore. Këto janë zona të kontaminuara, mbetje nga kapacitetet industriale dhe minierat e mëparshme që kanë lënë pas mbeturina kancerogjene që janë të dëmshme për mjedisin dhe shëndetin e njerëzve", theksoi Jançev.
Si shembuj veçanërisht shqetësues ai përmendi Lojanën dhe Vaksincën, ku ndodhen qindra mijëra ton mbetje me arsenik dhe antimoni, si dhe mijëra ton koncentrat arseniku.
"Në Lojanë dhe Vaksincë ka rreth 450.000 ton mbetje me arsenik dhe antimoni dhe rreth 10.000 ton koncentrat të pastër arseniku. Kjo është mbeturinë kancerogjene që qëndron e hapur dhe është në formë pluhuri. Sa herë që fryn era, ajo ngrihet në ajër dhe përhapet te banorët lokalë, të cilët thithin këtë material kancerogjen", theksoi Jançev.
Ai paralajmëroi edhe për rrezikun nga kromi heksavalent pranë kompleksit industrial të mëparshëm "Jugokrom", duke theksuar se bëhet fjalë për material kancerogjen i tretshëm në ujë, që mund të depërtojë në ujërat nëntokësore.
"Pranë Jugokromit ka mijëra ton krom heksavalent. Ky është po ashtu material kancerogjen që ndodhet vetëm disa kilometra larg burimit Rashçë, nga i cili rreth gjysmë milioni banorë në Shkup furnizohen me ujë, ose me fjalë të tjera, një e treta e Maqedonisë pi ujë nga aty", theksoi Jançev.
Sipas tij, kjo situatë kërkon sanim sistematik, jo heqje të mekanizmave ligjorë. Ai kujtoi se që në vitin 2007 ishte përgatitur një studim për pikat e nxehta mjedisore, ndërsa korniza ligjore për menaxhimin e tyre u vendos në vitin 2022, pas përvojës me zgjidhje ad hoc të problemeve.
"Dhe në vend që pas njëzet vitesh nga ky studim këto pika të nxehta të sanohen dhe të harrojmë për to, tani jemi në situatën kur kemi një propozim-ligj që parashikon fshirjen e rregullave ligjore për katër nene dhe kthimin në situatën para vitit 2022", paralajmëroi Jançev.
Ai kundërshtoi edhe arsyetimin se heqja e këtyre dispozitave është e nevojshme për harmonizim me legjislacionin evropian, duke theksuar se Direktiva 2014/52/BE ka të bëjë me procedurat për vlerësimin e ndikimit në mjedis, ndërsa dispozitat që parashikohej të fshiheshin rregullojnë sanimin e zonave tashmë të kontaminuara.
"Kjo është përsëri një kthim prapa. Ky është një hap prapa. Ne si shtet vonojmë njëzet vjet, dhe tani kemi një propozim që parashikon të kthehemi edhe katër vjet prapa", u shpreh Jançev.
Me miratimin e amendamentit të Levicës, shtojnë nga partia, ruhet baza ligjore për zgjidhje sistematike të pikave të nxehta mjedisore. "Levica do të vazhdojë të kundërshtojë ndryshimet ligjore që dobësojnë mbrojtjen e mjedisit dhe do të insistojë që institucionet të marrin përgjegjësi për sanimin e zonave të kontaminuara, në vend që mbeturinat e rrezikshme industriale të mbeten barrë që e bartin qytetarët".




