(VIDEO) Ata nuk duan më në Facebook dhe X: Sofascore ndërton rrjetin e vet social për sportin

Sofascore zhvillon rrjetin e vet social të dedikuar për sportistët dhe adhuruesit e sportit.
Kompania teknologjike kroate Sofascore – e njohur për platformën me të njëjtin emër për ndjekjen e rezultateve dhe statistikave sportive – po lançon një rrjet social të dedikuar ekskluzivisht sportit, deklaroi Ivan Bešlić, bashkëthemelues dhe drejtor strategjie në kompani.
"Mund ta quajmë një rrjet social tradicional, por nuk fillojmë nga zero; fillojmë me 50 milionë përdoruesit tanë aktivë", theksoi Bešlić në një podcast të Poslovni dnevnik.
Sipas Bešlić, kompania fillimisht do ta lansojë rrjetin në Kroaci, në tetor të këtij viti. Kjo do t’u mundësojë atyre të përmirësojnë algoritmet për përdoruesit dhe të moderojnë më mirë përmbajtjen e padëshiruar, para se të zgjerojnë në tregun global.
Një nga arsyet për lansimin e platformës së re, shpjegoi Bešlić, është dëshira e adhuruesve të sportit për të ndarë përmbajtje lidhur me ndeshjet në një rrjet social të fokusuar në sport, në vend të platformave ekzistuese globale.
E themeluar në vitin 2011 si një projekt i vogël në Zagreb, Sofascore sot ka mbi 50 milionë përdorues aktivë në muaj, duke e renditur atë ndër platformat më të njohura digjitale në botë për rezultate dhe statistika sportive.
Kompania u themelua nga Ivan Bešlić dhe Zlatko Hrkać. Sipas Bešlić, ata zhvilluan biznesin pa mbështetje nga kapitali tradicional i jashtëm. Bazën më të madhe të përdoruesve kompania e ka në Brazil dhe Indonezi, dhe kohët e fundit po shënon rritje të fortë në tregun e SHBA-së, ku së fundmi ka lidhur partneritet me NHL (Liga Kombëtare e Hokejit).
Kjo bashkëpunim ka për qëllim të mundësojë shfaqjen e statistikave të gjera të hokejit në një format më të aksesueshëm, sipas shembullit të sistemit të vlerësimit të lojtarëve që Sofascore tashmë e përdor për futboll dhe basketboll.




