Çarli Shin nuk mund të qëndronte në këmbë as të mbante mend replikat në xhirimin e fundit: krijuesi i “Dy e gjysmë burra” zbulon detaje

Krijuesi i serialit të njohur “Dy e gjysmë burra”, Çak Lor, zbuloi se aktori Çarli Shin ishte në një gjendje kaq të keqe gjatë xhirimit të skenës së tyre të fundit sa kolegia e tij Melani Linski u tremb.
Në një pjesë nga memuarët e tij të ardhshëm “Sitkom”, botuar në “Vanity Fair”, Lori kujton ditët e fundit të bashkëpunimit me Shinin, i cili luajti Çarli Harper për tetë sezone.
“Skenën e fundit e xhiruam me Çarlin dhe Melani Linskin. Ai nuk mund të mbante mend asnjë replika dhe duhej të mbështetej në mobilje për të qëndruar në këmbë,” shkroi Lori.
“Melani ishte e trembur. Të gjithëve na ishte e qartë se njeriu që e donim kaq shumë kishte probleme serioze. Nuk kisha tjetër zgjedhje veçse të ndaloja xhirimin,” shtoi ai.
Lori pretendon se Shin mungonte gjithnjë e më shumë në xhirime, dhe ekipi ishte vazhdimisht i shqetësuar për atë që mund t’i ndodhte ndërsa nuk ishte në punë.
Kur u vendos të ndërpritej përkohësisht prodhimi, Lori i propozoi të xhironin edhe dy episode të tjera, pas të cilave do të ndiqej një pushim tremujor për trajtim dhe rikuperim. Megjithatë, Shin insistoi të xhiroheshin edhe katër episode.
Pas një serie fyerjesh publike ndaj Lorit, kontrata e Shinit u ndërpre në vitin 2011, dhe vendin e tij në serial e mori Eshton Kuçer.
Sidoqoftë, pas më shumë se dhjetë vjetësh, të dy u pajtuan dhe bashkëpunuan përsëri në serialin humoristik “Bookie”.
“Pothuajse menjëherë sapo filluam të flisnim, më kujtua se dikur ishim miq. Papritmas dukej sikur ajo miqësi ishte rikthyer,” tha Lori për “Variety” në vitin 2023.
Shin, i cili flet hapur për luftën e tij me varësitë, pretendon se që nga viti 2017 nuk konsumon alkool dhe drogë. Në një nga intervistat e tij më të fundit deklaroi se sot nuk i vjen vështirë të qëndrojë i kthjellët dhe se nuk dëshiron të kthehet në mënyrën e vjetër të jetesës.



