Bullgarët votojnë në zgjedhjet presidenciale

Sot qytetarët bullgarë votojnë në zgjedhjet presidenciale në të cilat marrin pjesë plot 27 kandidatë, në kushte të rritjes së shqetësimit për sigurinë në Detin e Zi pas sulmeve me dronë ndaj anijeve tregtare pranë bregut bullgar.
Sipas sondazheve, në krye është kryetarja në detyrë, Iliana Jotova (61), me mbështetje prej 41 për qind të votuesve. Kundërshtari i saj më serioz është ish-kryeministri i përkohshëm Andrej Gjurov (50), i cili ka mbështetje prej 28 për qind.
Edhe pse funksioni presidencial në Bullgari është kryesisht ceremonial, zgjedhjet marrin rëndësi shtesë pas një serie sulmesh me dronë ndaj anijeve tregtare pranë bregut bullgar në Detin e Zi, ku kanë humbur jetën rreth 20 marinarë nga vende të ndryshme.
Sulmet shkaktuan dënoime nga komuniteti ndërkombëtar dhe shqetësim se lufta ruso-ukrainase po përhapet në zona të reja. Qeveria bullgare kërkoi ndihmë nga aleatët e NATO-s për të forcuar sigurinë detare.
Kryeministri Rumen Radev deklaroi se "rezultati i këtyre sulmeve i shkon në favor Rusisë", por nuk e akuzoi drejtpërdrejt Moskën për to. Të dy kandidatët kryesorë presidencialë gjithashtu dënuan sulmet.
Gjurov: Bullgaria duhet të jetë një aleat i sigurt i NATO-s
Andrej Gjurov, i cili këtë vit ka ushtruar përkohësisht funksionin e kryeministrit, ka mbështetjen e partive reformiste pro-perëndimore. Ai mbështet hapur Ukrainën, dhe gjatë mandatit të tij si kryeministër nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e sigurisë me Kievin.
"Dua që Bullgaria të ketë një zë të vetin në Evropë. Dua të jetë një aleat i sigurt i NATO-s, i cili mbron interesat e tij me diplomaci të fortë dhe qëndrim të qartë", deklaroi Gjurov në një tubim parazgjedhor të enjten.
Është e mundur votimi në raund të dytë
Iliana Jotova ka qenë nënpresidentja e Bullgarisë, dhe funksionin e presidentes e mori në janar, pasi Rumen Radev dha dorëheqje për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare.
Radev fitoi në ato zgjedhje, dhe analistët politikë e vlerësojnë atë si politikan të afërt me Kremlinin. Ish-presidenti, i cili tani është kryeministër, mbështet ish-zëvendësen e tij. Të dy përkrahin përfundimin diplomatik të luftës në Ukrainë.
"Kundërshtarët e mi thonë se duhet të ketë një luftë të zgjatur. E vërteta është se ne jemi më të lodhurit", deklaroi Jotova të enjten në një tubim parazgjedhor.
Nëse fiton, ajo do të bëhet gruaja e parë presidente e Bullgarisë.
Vendvotimet u hapën në orën 7 dhe do të mbyllen në orën 20. Nëse asnjë kandidat nuk fiton më shumë se gjysmën e votave, raundi i dytë do të mbahet më 1 nëntor.



