Kremlini: Putin ka treguar mirëkuptim për propozimet amerikane për deeskalim

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka treguar mirëkuptim për disa propozime amerikane për uljen e tensioneve në luftën në Ukrainë, të cilat Donald Trump ia ka paraqitur në bisedën telefonike të djeshme, njoftoi Kremlini.
"Presidenti rus pranoi me mirëkuptim disa propozime nga pala amerikane për masa që synojnë deeskalimin", deklaroi zëdhënësi Dmitri Peskov, transmetojnë TASS dhe RIA Novosti. Ai nuk zbuloi për çfarë propozimesh bëhet fjalë, as nëse Putin ka pranuar masa konkrete.
Sidoqoftë, sipas këshilltarit të tij për politikë të jashtme, Yuri Ushakov, Putin i ka thënë Trumpit se për momentin nuk ka kushte për rifillim të shpejtë të negociatave paqësore mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-ve. Për bllokimin ai i ka fajësuar sulmet ukrainase me dronë mbi Moskën dhe vendvotimet gjatë zgjedhjeve parlamentare ruse në shtator.
"Tani do të shqyrtojmë se kur këto negociata mund të vazhdojnë", përcolli Ushakov mesazhin e Putinit, raporton Reuters.
Pas bisedës, Trump njoftoi një marrëveshje për furnizime me naftë dizel ruse në tregun amerikan dhe atë botëror, që çoi në lehtësim të përkohshëm të sanksioneve amerikane ndaj karburantit rus. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi vendimin, duke paralajmëruar se të ardhurat shtesë do t’i mundësojnë Rusisë të vazhdojë financimin e luftës.
Sipas Reuters, negociatorë amerikanë, ukrainas dhe evropianë kanë biseduar të premten në Miami për një propozim të përbashkët paqeje që mund t’i prezantohet Moskës në javët në vijim.
Një nga pengesat kryesore për marrëveshjen mbeten kërkesat territoriale ruse. Moska kërkon që Ukraina t’i dorëzojë katër rajone që ajo i ka shpallur si të sajat, edhe pse nuk i kontrollon plotësisht.



