E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Pas arrestimit të blogerit rus në Mal të Zi, Medvedev propozon arrestimin e shtetasve perëndimorë për shkëmbim

10.10.2026, 09:21

Mal i Zi ka arrestuar dhe dëbuar Mihail Zvincuk, bloger ushtarak rus dhe themelues i kanalit „Ribar“ (Rybar) në Telegram. Kremlini dje njoftoi se përmes diplomatëve të tij do të kërkojë shpjegime për arrestimin e tij, çka e konfirmoi zëdhënësi Dmitri Peskov, ndërsa lajmin e publikoi i pari agjencia shtetërore ruse TASS.

Spajiç: Mbrojmë të ardhmen evropiane të Malit të Zi

Kryeministri malazez Milojko Spajiç konfirmoi arrestimin dhe e quajti „operacion të suksesshëm“. Ai theksoi se Mali i Zi mbron interesat e veta dhe se „askush nuk do të rrezikojë të ardhmen tonë evropiane“.

„Kemi paralajmëruar se rruga jonë evropiane vazhdimisht shoqërohet me përpjekje për ndërhyrje hibride dhe destabilizim“, shkroi Spajiç në rrjetin social X.

Ai përmendi se shërbimet kompetente po verifikojnë provat dhe lidhjet e të arrestuarve, por se për momentin nuk do të publikohen informacione të ndjeshme.

Disa orë pas arrestimit, Zvincuk u dëbua, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme e Malit të Zi.

Autoritetet malazeze i kanë anuluar të drejtën e qëndrimit pesë shtetasve rusë dhe u kanë lëshuar vendime dëbimi për arsye që lidhen me sigurinë kombëtare dhe të brendshme, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Operacioni u realizua me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë të ditur në cilën vend do të dërgohen ata.

Reagime nga Moska

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, deklaroi për TASS se diplomatët rusë do të përcaktojnë arsyet e arrestimit.
„Diplomatët tanë do të përcaktojnë arsyet e arrestimit dhe, si në rastin e çdo shtetasi rus, do të mbrojnë të drejtat e tij“, tha Peskov.

U shpreh edhe Dmitri Medvedev, zv/kryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë. Në Telegram publikoi se vendet evropiane kanë shpallur „gjueti“ ndaj „të gjithë“ rusëve dhe theksoi se Moska mund të zgjasë listën e evropianëve dhe amerikanëve të arrestuar për t’i përdorur në shkëmbim dhe kthim të shtetasve rusë.

Në kanalin „Ribar“ në Telegram u publikua se Zvincuk u arrestua së bashku me disa shtetas të tjerë rusë. Në njoftim theksohet se të gjithë qëndronin në Mal të Zi në mënyrë legale dhe zyrtare.

„Planifikonin të filmonin në Manastirin e Cetinjës, për të cilin më parë ishte dërguar kërkesë zyrtare“, thuhet në njoftimin e kanalit.

Lajme të ngjashme