E martë, 20 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Një satelit ushtarak rus iu afrua vetëm 500 metra një sateliti që ndihmon Ukrainën

20.10.2026, 10:13

Një satelit rus kreu një manovër të rrallë, duke iu afruar më pak se 1.5 kilometra një sateliti komercial për vëzhgimin e Tokës, i cili, sipas informacioneve të disponueshme, përdoret për qëllime të lidhura me sigurinë kombëtare – përfshirë edhe Ukrainën – raporton CNN.

Nuk është krejtësisht e qartë se çfarë synonte sateliti rus "Kosmos 2612" të arrinte. Megjithatë, "LeoLabs", një kompani që ndjek aktivitetet në hapësirë, ka theksuar se kjo sjellje përputhet me "operacione për afrim dhe takim" – manovra ku dy anije kozmike përpiqen të afrohen fizikisht njëra me tjetrën në orbitë.

"Edhe pse qëllimi mbetet i paqartë, kjo sjellje kërkon vëzhgim të mëtejshëm", thanë nga "LeoLabs".

Astrofizikani dhe analisti për çështjet hapësinore, Jonathan McDowell, theksoi në rrjetet sociale se, edhe pse takimet midis anijeve kozmike në orbitë janë të zakonshme, veprimet e "Kosmos 2612" mund të përbëjnë rastin e parë ku një anije kozmike i afrohet një tjetër pa autorizim.

Satelitin për vëzhgimin e Tokës, Iceye-X36, e operon kompania Iceye – një kompani multinacionale me zyra në SHBA, Finlandë dhe vende të tjera në Evropë dhe Azi.

Të hënën, kompania njoftoi: "Jemi të vetëdijshëm për situatën dhe e ndjekim me kujdes. Arkitektura e konstelacionit tonë satelitor është projektuar për vazhdimësi dhe rezistencë". Një zëdhënës i kompanisë refuzoi të jepte koment shtesë.

Iceye-X36 përdor teknologjinë e radarit me aperturë sintetike (SAR). NASA shpjegon se kjo teknologji mundëson imazhe të sipërfaqes së Tokës me rezolucion të lartë, ditë e natë, pavarësisht nga kushtet atmosferike.

Sipas një njoftimi nga janari për një marrëveshje të zgjeruar midis Iceye dhe Ukrainës, satelitët e kompanisë mbështesin forcat e armatosura ukrainase, duke siguruar mbikëqyrje të vazhdueshme në kohë reale për situatën në terren. Ende nuk është e qartë nëse kjo i referohet satelitit Iceye-X36, dhe kompania refuzoi të komentojë për këtë çështje.

Indikacione se satelitë ushtarakë rusë përpiqen t'u afrohen satelitëve të operuar nga Iceye u shfaqën që në maj. Në raportin e qershorit të think-tankut britanik RUSI (Royal United Services Institute) thuhet se, në atë periudhë, katër satelitë rusë kanë rregulluar orbitat e tyre për t'u përshtatur me trajektoren e satelitit Iceye-X36.

Më 15 tetor, sateliti "Kosmos 2612" iu afrua satelitit Iceye-X36. Sipas të dhënave nga "LeoLabs", deri në orët e hershme të mëngjesit të 16 tetorit, distanca midis tyre u ul nga 350 kilometra në më pak se pesë kilometra.

Siç raportoi "LeoLabs" të hënën, pas këtij ngjarjeje, "Kosmos 2612" gjatë gjithë fundjavës mbajti distancën – duke bërë korrigjime të vogla në trajektore për të qëndruar afër.

CNN kërkoi koment nga Ministria ruse e Mbrojtjes, Forcat Ajrore-Kozmike dhe agjencia ruse hapësinore "Roscosmos".

Sipas "LeoLabs", deri të hënën, "Kosmos 2612" kishte filluar të largohej nga Iceye-X36. Kompania sugjeron se manovrat e satelitit rus mund të kenë pasur qëllim inspektimin, studimin, vëzhgimin ose potencialisht pengimin e satelitit tjetër.

Lajme të ngjashme