(Video) Protesta kundër së djathtës ekstreme në Francë, deri në 26,000 persona u mblodhën në Orlean

Mijëra njerëz sot protestojnë në Francë kundër partisë së djathtë ekstreme Rassemblement National (RN), e cila po mban kongres në Orlean, ndërsa në Paris demonstratat janë paralajmëruar për pasditen, nga ora 14 deri në 19.
Sipas mediave franceze, në Orlean deri në mesditë janë mbledhur 11,000 demonstrues, sipas të dhënave të prefekturës, ndërsa organizatorët pretendojnë se numri ka arritur në 26,000.
Në marshim dëgjoheshin thirrjet "Macron, dorëhiq" dhe "Le Pen në burg", si shenjë proteste kundër Marin Le Pen, e cila u dënua në rastin me asistentët parlamentarë të Frontit Kombëtar të mëparshëm.
Kryetari i Orleanit, Serge Grouard, ka vendosur orë policore për të miturit nën 15 vjeç gjatë natës midis së shtunës dhe së dielës, si dhe midis së dielës dhe së hënës.
Në Paris, policia ka kryer 635 kontrolle për të parandaluar personat që mund të vijnë në kryeqytet me qëllim të shkaktimit të incidenteve. Ndër sendet e sekuestruara ishin thikë, gërshërë dhe pajisje mbrojtëse, përfshirë maska me filtra dhe syze zhytjeje.
Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez paralajmëroi se pritet prezenca e grupeve të ndryshme që mund të shkaktojnë incidente.
"E dimë se me shumë mundësi do të kemi grupe të ndryshme që do të përpiqen të shkaktojnë incidente, qoftë përmes sulmeve ndaj dyqaneve, institucioneve apo anëtarëve të forcave të sigurisë", deklaroi Nuñez gjatë vizitës në Akademinë Kombëtare të Policisë në Paris-Vincennes.
Melançon bëri thirrje për protestë në Paris
Udhëheqësi i partisë së majtë franceze "Francë e Papërkulur", Jean-Luc Mélenchon, bëri thirrje për një tubim në lagjen Porte d’Italie të Parisit, me qëllim, siç tha, të parandalohet "provokimet" e kryeministrit Sébastien Lecornu.
"Duhet të bashkohemi për të mbështetur kërkesat e të rinjve", shkroi Mélenchon në rrjetin social X.
Marshi në Paris do të fillojë nga Porte d’Italie dhe do të vazhdojë deri te Porte de Vincennes, dhe pritet të zgjasë nga ora 14 deri në 19.
Kandidati për zgjedhjet presidenciale Marine Tondelier kritikoi ndryshimin e itinerarit, të cilin policia e kishte njoftuar ditën e mëparshme.
"Për herë të parë në jetën time po shkoj në një protestë pa ditur se ku do të fillojë, vetëm tre orë para nisjes", shkroi ajo në X.
Incidente në Grenoble, ndalime në disa qytete
Në Grenoble, një grup personash u përpoq të bllokonte autostradën A480, pas së cilës ndodhi një përplasje midis dy automjeteve. Në incident u lënduan lehtë dy persona, njoftoi prefektura e departamentit Isère.
Sipas njoftimit, policia ndërhyri shpejt dhe shpërndau personat që u përpoqën të bllokonin autostradën. Deri tani nuk ka informacione nëse dikush është arrestuar.
Në Nice, ku sot janë ndaluar të gjitha tubimet, prefekti i Alpeve Maritimë, Jean-Marie Girier, njoftoi se janë arrestuar pak më pak se dhjetë persona që erdhën me pajisje mbrojtëse.
Ndërkohë, autoritetet kanë refuzuar kërkesat për mbajtjen e demonstratave edhe në Montpellier, Nancy, Cannes dhe Annecy, njoftuan prefekturat përkatëse.



