(Video) Protesta të reja në Francë, pjesë e sektorit publik në grevë

Në Paris dhe Lion, disa demonstrues sot u përplasën me policinë gjatë protestave kryesisht paqësore në të gjithë vendin dhe grevës njëditore të disa punonjësve të sektorit publik, duke paraqitur një sfidë të re për presidentin Emanuel Makron.
Protestat më të fundit erdhën pas një serie demonstratash për shkak të kostove të jetesës, shërbimeve publike dhe gjendjes së keqe të arsimit, të cilat u kthyen në trazirat më të këqija qytetare në Francë në vitet e fundit.
Ministria e Brendshme njoftoi se 270,000 persona kanë marrë pjesë në protestat në të gjithë vendin deri tani, përveç në Paris, ku demonstratat kryesore filluan pasdite.
"Kjo është vetëm fillimi", tha Sofi Binë nga sindikata CGT.
Kulla Eifel u mbyll për shkak të grevës njëditore, në të cilën iu bashkuan edhe disa punonjës të energjetikës dhe mësues, por nuk pati ndërprerje të mëdha në trafikun rrugor.
Sidoqoftë, rreth dy orë pas fillimit, disa nga njerëzit në krye të kolonës u përplasën me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës, raportojnë mediat botërore.
Në Lion, policia përdori gaz lotsjellës dhe ndërhyri kundër një grupi demonstruesish. Disa prej tyre, të veshur me të zeza dhe me fytyra të mbuluara, brohorisnin slogane kundër policisë.
Ministria e Brendshme njoftoi se persona që hodhën mjete piroteknike shkaktuan zjarr në një shkollë të mesme pranë Tuluzës të enjten në mëngjes, duke detyruar nxënësit dhe stafin të largoheshin nga ndërtesa ndërsa zjarrfikësit shuanin zjarrin.
"Ky lloj sjelljeje kriminale është një skandal absolut", tha ministri i arsimit Eduar Zhefri në X.
Grevë e enjtes në mëngjes rezultoi në ulje të prodhimit të energjisë elektrike në centralet bërthamore franceze, dhe Ministria e Arsimit njoftoi se pak më shumë se 15 për qind e mësuesve morën pjesë.
Foto: EPA



