E enjte, 5 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Shasivari – O’Callaghan: Irlanda është partner i rëndësishëm në avancimin e reformave dhe agjendës evropiane

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, zhvilloi një takim bilateral me ministrin e Drejtësisë të Irlandës, Jim O’Callaghan, në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, i cili po mbahet në Budva, Mali i Zi. Në fokus të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit midis dy vendeve dhe mbështetja e Irlandës për procesin e integrimit evropian.

Shasivari shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës për vendin tonë, si dhe për angazhimin e saj gjatë kryesimit me Këshillin e BE-së, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit dhe forcimit të këtij partneriteti.

Gjatë takimit, ai informoi kolegun irlandez për agjendën reformuese të shtetit, me theks të veçantë në përgatitjen e Kodit të ri Penal, Ligjit të ri për Procedurën Penale, Ligjit për Prokurorinë Publike, Ligjit për buxhetin gjyqësor dhe Ligjit për Akademinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë.

Një nga temat kyçe ishte dixhitalizimi i drejtësisë. Ministri Shasivari kërkoi mbështetje, ekspertizë dhe përvojë nga Irlanda në përgatitjen dhe zbatimin e Strategjisë për teknologjinë e informacionit dhe komunikimit në drejtësi, me qëllim modernizimin e shërbimeve dhe rritjen e efikasitetit institucional.

Në bisedime u theksua edhe rëndësia e Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026, ku rekomandimet përbëjnë një udhëzim të rëndësishëm në zbatimin e prioriteteve reformuese.

Ministri Shasivari theksoi se reformat në drejtësi kërkojnë vendosmëri, përgjegjësi dhe partneritete të qëndrueshme evropiane, me qëllim ndërtimin e një sistemi drejtësor më efikas dhe modern.

Lajme të ngjashme