E enjte, 5 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Mickoski për rastin me "Alta Banka": Qytetarët të jenë të qetë, do të kompensohen deri në centin e fundit

Kryeministri Kristian Mickoski, duke iu përgjigjur sot një pyetjeje gazetareske në lidhje me rastin me "Alta Banka", deklaroi se ky është një rast në Serbinë fqinje, dhe se tek ne ky rast është importuar dhe nuk ka asgjë të ngjashme siç ishte rasti me "Eurostandard Banka".

"Eurostandard Banka" u falimentua nga qeveria e mëparshme e LSDM-së pasi ish-ministrja e tyre e financave, një apo dy ditë para falimentimit, nxori nga banka depozita prej 250,000 eurosh. Dhe kjo është fakt.

Tani ne kemi një problem të importuar që ka ndodhur në fqinjësinë tonë. Unë jam më shumë i shqetësuar për një fenomen tjetër që askush nuk e ngre si pyetje, dhe ai është ky: në vitin 2025 tregtia midis dy vendeve, midis nesh dhe fqinjit tonë verior, ishte rreth një miliard e dyqind milionë euro. Disa kompani maqedonase më kontaktuan, të cilat thonë: partneri im është para falimentimit ose ka falimentuar në Serbi sepse i janë bllokuar mjetet në "Alta Banka", çfarë të bëjmë, ju lutem, si Qeveri ndihmoni. Kjo do të jetë një problem shumë më i madh. Pse problem shumë më i madh? Sepse bizneset mbyllen, kompanitë falimentojnë, njerëzit do të mbeten pa vendet e tyre të punës — jo vetëm në Serbi, por edhe tek ne. Sepse ato një miliard e dyqind milionë ishin qarkullim ditor i mjeteve që lëviznin gjatë gjithë vitit. E njëjta gjë po ndodh edhe tani. Kjo më shqetëson më shumë, sepse disa kompani maqedonase më kontaktuan dhe më paraqitën këtë problem. Dhe nëse atje nuk konsolidohet shpejt situata, do të kemi një sistem zinxhir shumë më të madh".

Më shqetëson, shtoi Mickoski, edhe situata në Shqipëri, sepse siç tha, edhe ajo mund të përhapet një ditë tek ne.

"Sa i përket "Alta Banka" dhe blerjes së saj në Maqedoni nga "Banka Ekonomike Bitola", nga ato që jam i informuar, bazuar në informacionet që kam, dua të them këtë: banka u ble pasi më parë u respektuan të gjitha proceset ligjore që janë aktualisht pjesë e së drejtës aplikative maqedonase. Janë marrë mendime pozitive nga të gjitha institucionet, përfshirë Komisionin për vlera të lëvizshme, Komisionin për mbrojtjen e konkurrencës etj. Në ankand publik, aksionarët e bankës, të cilët janë persona privatë — këtu Qeveria nuk ka asnjë lidhje, as nuk dëshiron të ketë lidhje — shesin aksionet tek pronari, në këtë rast "Alta Banka Serbia", dhe kështu ata bëhen pronarë të "Bankës Ekonomike Bitola" dhe më pas e ribrandojnë në "Alta Banka Maqedoni".

Ai akuzoi opozitën për krijim histerie tek qytetarët.

"Jo vetëm që nuk ndihmojnë, ata pak kujdesen për kursimtarët dhe kreditorët e "Bankës Ekonomike Bitola" ose "Alta Banka Bitola". Ata mendojnë se në këtë mënyrë do të arrijnë përfitime politike dhe do të faktorëzohen në skenën politike në Maqedoni, sepse janë të ngarkuar me ndarje të brendshme, akuza se kush sa ka qenë i korruptuar gjatë kohës së Qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së, por kjo është çështja e tyre. Ne jemi parti shtetformuese dhe kujdesemi për interesat e qytetarëve. Prandaj dua të jem shumë i qartë, janë të mundshme dy skenarë. Skenari i parë është të sigurohet një blerës, që do të jetë shumë i vështirë. Pse? Shikoni çfarë bëjnë: mbajnë konferenca për shtyp para Bankës Popullore dhe i largojnë blerësit potencialë që do të konsolidojnë bankën. Ky është një skenar.

Dhe skenari i dytë është banka të hyjë, nëse nuk ka blerës, në falimentim. Çfarë do të thotë kjo? Se do të humbasë licencën për punë. Por ajo që dua t'u përcjell si mesazh qytetarëve, kursimtarëve dhe kreditorëve, është të jenë të sigurt dhe të qetë, të mos bien pre e histerisë dhe gënjeshtrave, pavërtetave dhe spekulimeve që vijnë nga partia opozitare, në këtë rast LSDM. Pse? Sepse sipas kontrolleve tona, 95-96 % e kursimtarëve kanë depozita kursimi deri në 30 mijë euro — ata janë të garantuar në shumën e plotë. Të jenë të qetë, deri në cent do t'u kthehen. Të tjerët që do të hyjnë në masën e falimentimit, janë disa qindra, edhe ata të jenë të qetë. Pse? Sepse aktiva e bankës është shumë më e madhe se kërkesat ndaj saj, ndoshta 2-3 herë më e madhe. Prandaj bëj apel tek qytetarët: jini të qetë, ju lutem. Mos u nënshtroni histerisë dhe gënjeshtrave që dërgon opozita".

Shteti, theksoi Mickoski, ka instrumente, ndjek procesin.

"Nuk do të mbetet asnjë — nëse arrijmë skenarin më të keq, banka të shkojë në falimentim — që nuk do të kompensohet deri në centin e fundit. Çdo kreditor, qoftë kursimtar apo kompani, do të kompensohet deri në centin e fundit.

Por ajo që ne po bëjmë tani, sepse jemi Qeveri shtetformuese, dhe jo opozitë e ngarkuar me ndarje të brendshme dhe mosmarrëveshje dhe akuza se kush sa ka qenë kriminal, tani e shohin këtë si mundësi për të faktorëzuar dhe krijuar demokraci rrugore në vend të asaj që jemi sot — shembull për rajonin. Shikoni kudo çfarë ndodh, tek ne jemi shembull për rajonin dhe për këtë vijnë këto rezultate ekonomike dhe për këtë kur flas dhe lutem për investime tani në Gjermani, ata vijnë sepse thonë: këta janë faktor stabiliteti. Dhe për këtë tre fabrika që do të ndërtohen do t'i shpallim në dhjetor. Dhe kjo është lajm i keq për opozitën tonë. Por lajmi i mirë për qytetarët, edhe në skenarin më të keq — po i shoh në sy përmes kamerave dhe ju them — është se çdo qytetar, çdo kreditor, deri në centin e fundit do të kompensohet. Ju lutem mos u nënshtroni kësaj histerie që bën opozita.

Dhe në fund dua të them se është koha që edhe Prokuroria Publike të merret sipas Kodit Penal me këtë vepër penale, sabotazhin, që bën opozita që me vetëdije rrëzon Kushtetutën dhe rendin shtetëror duke përhapur pavërteta, duke krijuar trazira, gënjeshtra, dhe në këtë mënyrë i bën qytetarët të ndihen të pasigurt, të frikësuar. Dhe këtë vepër penale, do t'i kujtoj, e dënojnë me burgim prej të paktën tre vjet sipas Kodit Penal që ata e ndryshuan në vitin 2023."

Lajme të ngjashme