BDI: Rasti me Alta Banka ngre pyetje që shkojnë shumë përtej problemeve në një bankë

Rasti me Alta Banka ngre pyetje që shkojnë shumë përtej problemeve në një bankë. Bëhet fjalë për menaxhimin e fondeve publike, sigurinë financiare të institucioneve shtetërore dhe lidhjen e mundshme midis vendimeve politike dhe interesave bankare, thonë nga BDI.
"Fakti që Banka Popullore u detyrua të vendosë administrim të përkohshëm dhe kufizime në disponimin e fondeve, ndërsa institucionet dhe ndërmarrjet publike përballen me pasiguri rreth veprimtarisë së tyre financiare, kërkon një hetim urgjent dhe të thellë institucional. Veçanërisht shqetësuese është pyetja se sa pjesë e fondeve publike ndodhen në Alta Banka dhe mbi bazën e cilave kritere institucionet shtetërore dhe ndërmarrjet publike kanë vendosur të përdorin shërbimet e saj", thonë nga partia.
Nga BDI parashtrohen disa pyetje: Kush ka vendosur, kush i ka miratuar ato vendime dhe kush ka vlerësuar ekspozimin financiar të fondeve publike, nëse zgjedhja e bankës ka qenë rezultat i vlerësimeve të pavarura financiare dhe procedurave transparente apo ka pasur ndikim politik mbi vendimet e institucioneve, nëse janë analizuar rreziqet lidhur me strukturën pronësore të bankës dhe nëse kanë ekzistuar paralajmërime dhe, nëse kanë ekzistuar, kush i ka marrë dhe si ka vepruar ndaj tyre?
"Këto pyetje bëhen edhe më serioze pas informacioneve për procedurat kundër pronarit të bankës amë në Serbi dhe dyshimeve për keqpërdorime financiare që janë objekt i hetimeve atje. Prandaj, kërkojmë nga Qeveria dhe Ministria e Financave që publikisht të paraqesin një pasqyrë të plotë të të gjitha institucioneve shtetërore, ndërmarrjeve publike dhe subjekteve të tjera nën kontroll shtetëror që kanë pasur fonde në Alta Banka, me shumat e sakta, datat e hapjes së llogarive, bazën ligjore dhe personat përgjegjës për marrjen e vendimeve. Në të njëjtën kohë, Banka Popullore duhet të shpjegojë procedurat mbikëqyrëse dhe vlerësimet e rrezikut, veçanërisht në lidhje me ndryshimet pronësore dhe ngjarjet financiare në bankën amë", thonë nga BDI.
Partia pret që Prokuroria Publike, brenda kompetencave të saj, të hetojë nëse gjatë drejtimit të fondeve publike ka pasur ndikime të paligjshme, keqpërdorim të pozitës zyrtare, konflikt interesi apo veprime të tjera të paligjshme.
"Pyetja nuk është më vetëm se çfarë do të ndodhë me Alta Bankën. Pyetja është nëse shteti e di sa para publike janë ekspozuar ndaj rrezikut, si kanë përfunduar atje dhe kush ka qenë i detyruar t'i mbrojë. Qytetarët kanë të drejtë për informacione të plota, institucionet kanë detyrimin t'i sigurojnë ato, dhe përgjegjësia eventuale duhet të përcaktohet mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve", thonë nga partia.



