WSJ: Trump do ta mbështesë Orbanin për shef të OKB-së; Tusk: Qesharake

Kryeministri polak Donald Tusk reagoi me përbuzje ndaj raportit që thotë se administrata e Donald Trump e sheh ish-kryeministrin hungarez Viktor Orban si kandidat për sekretar të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
Sipas raportit të The Wall Street Journal, Shtetet e Bashkuara e kanë inkurajuar Orbanin të hyjë në garën për këtë funksion. Gazeta sugjeron se Orban mund të shërbejë si kandidat kompromisi, i cili potencialisht mund të marrë mbështetje nga Moska, Uashingtoni dhe Pekini.
Kur u pyet për raportin e WSJ, Tusk buzëqeshi dhe vuri në dukje se nuk kishte dëgjuar për një mundësi të tillë.
„Jo shumë kohë më parë, ai thuhej se ishte kandidat për president të Komisionit Evropian. Kjo më duket po aq qesharake sa dhe thashethemi i mëparshëm“, tha Tusk, duke iu referuar një pretendimi të mëparshëm, të pabazuar, se Orban mund të bëhej president i Komisionit Evropian.
Brukseli përshëndeti largimin e Orbanit
Orban, kryeministri nacionalist i Hungarisë me shumë vite në detyrë, pësoi një humbje të rëndë në zgjedhjet e prillit, ku fitoi partia e qendrës së djathtë „Tisa“, e udhëhequr nga Peter Magjar.
Ai ishte një nga aleatët më të ngushtë politikë të Donald Trump brenda Bashkimit Evropian. Presidenti amerikan e përshkroi atë si „mik të vërtetë“ dhe i dha mbështetje publike, ndërsa zv/presidenti amerikan J.D. Vance madje udhëtoi në Hungari për të marrë pjesë në fushatën e tij zgjedhore. Në Bruksel, largimi i Orbanit nga pushteti u prit me entuziazëm.



