Zelenski kërkon ndihmë: Të gjitha termocentralet në Ukrainë janë dëmtuar

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski i bëri thirrje liderëve të vendeve të Amerikës Latine që të ndihmojnë urgjentisht në rindërtimin e sistemit energjetik ukrainas, i cili është nën sulme të vazhdueshme ruse. Në Samitin e 30-të Ibero-amerikan në Madrid, Zelenski deklaroi se të gjitha termocentralet në Ukrainë janë dëmtuar në një mënyrë apo në një tjetër, transmeton "Euronews".
"Na nevojiten pajisje që janë të përputhshme me rrjetin tonë dhe na duhen shpejt. Prandaj ju lutem të ndihmoni drejtpërdrejt në krijimin e kontakteve me kompanitë dhe kapacitetet tuaja prodhuese, në mënyrë që furnizimet të arrijnë në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur", tha Zelenski.
Ai kërkoi ndihmë për blerjen e transformatorëve, kabllove elektrike, pajisjeve elektronike, si dhe gjeneratorëve me naftë dhe gaz, të nevojshëm për mirëmbajtjen e infrastrukturës energjetike.
Presidenti ukrainas theksoi se Kievi ka nevojë edhe për mbështetje diplomatike nga vendet e Amerikës Latine, veçanërisht gjatë votimeve në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sulmet e shpeshta ruse ndaj infrastrukturës energjetike shkaktojnë shqetësim se Ukraina po përballet me një dimër të vështirë tjetër. Kryetari i Bashkisë së Kievit, Vitali Klichko, të martën vlerësoi se situata me furnizimin me energji në kryeqytet është "jashtëzakonisht e vështirë".
Vizita e Zelenskit në Madrid zhvillohet në një periudhë kur SHBA po përpiqen të rivendosin bisedimet e paqes midis Kievit dhe Moskës, ndërsa vazhdimi i bisedimeve trilaterale është parashikuar për javën e ardhshme në Emiratet e Bashkuara Arabe.


