E enjte, 5 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Zelenski shpreson që fitorja e demokratëve në SHBA do t’i ndihmojë Ukrainës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski deklaroi se shpreson që fitorja e demokratëve në zgjedhjet për Kongresin e SHBA-së do të sjellë ndihmë më të madhe për Ukrainën në luftën me Rusinë, e cila vazhdon tashmë katër vjet e gjysmë. Në një intervistë për televizionin gjerman ZDF, Zelenski tha se shpreson që ndryshimet që do të ndodhin me marrjen e kontrollit mbi të dyja dhomat e Kongresit amerikan nga demokratët vitin e ardhshëm, do të jenë në favor të Kievit.

"Faleminderit edhe republikanëve, por demokratët flasin shumë qartë për mbështetjen e Ukrainës dhe për sigurimin e ndihmës për të", deklaroi Zelenski në deklaratën që transmetoi ZDF në gjuhën gjermane, para transmetimit të intervistës. "Ata flasin për rivendosjen e lidhjeve midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Prandaj, ekziston shpresa që balanca e fuqive do të kthehet dhe se do të marrim mbështetje më të madhe."

Zelenski: Rritja e ndihmës amerikane mund të ndikojë te Putini

Presidenti ukrainas mendon se rritja e ndihmës amerikane mund të ndikojë edhe te presidenti rus Vladimir Putin. "Nëse Kongresi tani flet për ndihmë të fortë financiare ose ushtarake – ashtu siç po bën dhe tregon Evropa sot – atëherë kjo do të jetë një hap pozitiv që do të ndikojë te Putini", transmetoi ZDF.

Zelenski ka bërë përpjekje të konsiderueshme për përmirësimin e marrëdhënieve me presidentin amerikan Donald Trump, të cilat deri tani kanë qenë mjaft të paqëndrueshme.

Marrëdhëniet u përkeqësuan veçanërisht pas takimit në Zyrën Ovale në shkurt 2025, kur presidenti ukrainas u akuzua se ishte i pabesueshëm për ndihmën amerikane. Javët e fundit, Trump ka ndërmarrë disa hapa që i shkojnë në favor Rusisë, përfshirë një marrëveshje për importin e naftës dizel ruse dhe lehtësimin e sanksioneve.

Megjithatë, negociatat trilaterale midis Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së pritet të vazhdojnë javën e ardhshme, pas një ndërprerjeje disa mujore. Përfaqësuesi special i presidentit amerikan, Steve Witkoff, deklaroi të hënën se SHBA do të mbledhë delegacionet e Ukrainës dhe Rusisë më 10 dhe 11 nëntor në Abu Dabi. Ata do të diskutojnë për përfundimin e luftës kundër Ukrainës, për marrëveshjet e sigurisë pas luftës dhe për deeskalimin e konfliktit.

Zelenski për Musk: Nuk na pëlqen qëndrimi i tij për luftën
Në pjesë të tjera të intervistës për ZDF, Zelenski foli për qasjen në sistemin satelitor "Starlink" të kompanisë "SpaceX", në pronësi të Elon Musk. Ai i falënderoi kompaninë për ndihmën, por shprehu pakënaqësi për qëndrimet e Musk-ut në lidhje me luftën.

"Jemi falënderues ndaj 'SpaceX' që na siguroi lidhje. Kjo ishte një ndihmë e madhe në fillim të luftës", tha Zelenski. "Por, duhet të jemi plotësisht të qartë: nuk na pëlqen qëndrimi i tij për këtë luftë."

Javën e kaluar Zelenski deklaroi se "Starlink" dhe versioni i tij për nevoja ushtarake, "Starshield", funksionojnë përsëri në masën në të cilën punonin para vendosjes së kufizimeve. Këto sisteme përdoren për sulmet ukrainase dhe për misionet me dronë brenda mbrojtjes kundër ajrit. Trump mohoi çdo përfshirje në vendimin për ngadalësimin e shërbimit.

Lajme të ngjashme