E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

DPM: Zgjedhja e vendndodhjes për Qendrën Kombëtare të të Dhënave kërkon shpjegim publik

09.10.2026, 11:39

Përmbytja në ndërtesën e ish-"Nova Makedonija" tregoi edhe një herë sa e rëndësishme është që institucionet shtetërore të kenë infrastrukturë digjitale të sigurt. Por, nevoja për një Qendër Kombëtare të të Dhënave nuk është përgjigje për pyetjen se si u zgjodh vendndodhja dhe nëse janë shqyrtuar të gjitha aspektet relevante para marrjes së vendimeve të mëtejshme, thonë nga DPM.

"Sipas informacioneve të publikuara më 8 tetor, vendndodhja është zgjedhur, ndërsa dokumentacioni urbanistik dhe financimi janë ende në përgatitje. Ministri njoftoi se para ndërtimit do të përgatiten studime për ndikimin në mjedisin jetësor dhe studim social. Për DPM, është kyç që këto procedura të mos kufizohen në përmbushje formale të kushteve për ndërtim, por të sigurojnë bazë reale për vlerësimin e projektit dhe pasojave të tij", thonë nga partia.

DPM kërkon nga Qeveria dhe Ministria e Transformimit Digjital të publikojnë shpjegimet dhe kriteret mbi bazën e të cilave është zgjedhur vendndodhja konkrete, duke përfshirë nëse janë shqyrtuar vendndodhje alternative, të paraqesin projektin me parametrat e tij kryesorë teknikë, sa kapacitet do të ketë në MW, si dhe zgjidhjen e planifikuar për funksionimin e qendrës, të sigurojnë vlerësime të përshtatshme të ndikimeve në mjedisin jetësor dhe komunitetin lokal, në përputhje me detyrimet ligjore, para marrjes së vendimeve përfundimtare dhe të mundësojnë informim në kohë dhe pjesëmarrje të publikut në të gjitha procedurat ku kjo është parashikuar, me qasje në dokumentacionin relevant.

"Publiku nuk duhet të informohet për projekte të tilla vetëm pasi të jenë përmbushur kushtet për prezantimin e tyre zyrtar. Informimi dhe pjesëmarrja e qytetarëve duhet të jenë pjesë e procesit të planifikimit, jo një hap përfundimtar i tij. DPM mbështet nevojën për infrastrukturë digjitale të sigurt, por vendimet për ndërtimin e saj duhet të jenë të arsyetuara, të verifikueshme dhe në interes të qytetarëve", thonë nga partia.

Lajme të ngjashme