„MPB-ja të publikojë raportin e plotë policor për rastin me dy të rinjtë e rrahur në Saraj“, kërkon BDI-ja

„Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme të publikojë raportin e plotë policor lidhur me intervenimin e 7 tetorit, gjatë të cilit dy të rinj nga Saraji, në moshë 21 dhe 23 vjeç, u rrahën brutalisht nga anëtarë të policisë“, thonë nga BDI-ja.
„Në publik janë paraqitur versione të kundërta për atë që ka ndodhur. Të rinjtë dëshmojnë se janë goditur edhe pasi ishin kapur dhe vendosur në pranga, ndërsa në publik u përhapën pretendime për rezistencë ndaj policisë dhe marrjen e armës zyrtare të një punonjësi policor.
Prandaj kërkojmë të publikohen raporti fillestar i patrullës policore, procesverbalet dhe dokumentacioni përkatës, duke respektuar të dhënat personale dhe integritetin e hetimit.
Kush e ka përgatitur raportin? Çfarë kanë deklaruar punonjësit policorë që morën pjesë në intervenim? A përputhet versioni i tyre me incizimet që publiku tashmë i ka parë?
Këto janë pyetje për të cilat duhet dhënë përgjigje zyrtare.
Nëse ka pasur tejkalim të kompetencave policore, përgjegjësia duhet të përcaktohet për çdo punonjës të përfshirë, pa përjashtim.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë të vërtetën, ndërsa policia ka detyrë të përgjigjet për përdorimin e forcës.
Raporti duhet të publikohet. Përgjegjësia duhet të jetë e plotë. Asnjë uniformë nuk duhet të shërbejë si mbrojtje nga ligji“, thuhet në njoftimin e BDI-së.



