LDP: Ka para për funksionet qeveritare, por nuk ka për gjyqtarë dhe prokurorë

Sistemi i drejtësisë në Maqedoni përballet me probleme serioze për shkak të financimit të pamjaftueshëm, mungesës së stafit dhe ndikimeve politike, reagojnë nga Partia Liberal-Demokrate (LDP), duke u thirrur në raportin e njëmbëdhjetë në hije për Kapitullin 23 nga Instituti për Politikë Evropiane (EPI).
Nga partia theksojnë se 18 nga gjithsej 34 gjykata janë joaktuale, ka mbi 134.000 raste të pazgjidhura, dhe disa prokurori funksionojnë pa asnjë prokuror publik.
Nga LDP kritikojnë se për pushtetin gjyqësor ndahen vetëm 0.26 për qind të produktit të brendshëm bruto, në vend të 0.8 për qind të parashikuara me ligj. Si problem shtesë përmendin anulimin e konkursit për pranimin e 130 kandidatëve në Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë për shkak të mungesës së fondeve nga Ministria e Financave.
Partia paralajmëron edhe për, siç thonë, presione nga pushteti ekzekutiv ndaj prokurorisë përmes deklaratave publike të funksionarëve të lartë qeveritarë për hetime dhe procedura gjyqësore konkrete.
"Nuk mundet pushteti njëkohësisht të kërkojë rezultate nga prokuroria, dhe politikisht të komentojë dhe sfidojë vendimet e saj. Nuk mund të thirret në sundimin e ligjit, dhe të krijojë një atmosferë ku prokurorët duhet të mendojnë se si do të jetë reagimi politik para se të marrin një vendim profesional", theksojnë nga LDP.
Sipas partisë, mungesa e stafit dhe parave, së bashku me ndryshimet në Kodin Penal që kanë mundësuar kalimin e afateve për raste të korrupsionit të lartë, kontribuojnë në një gjendje ku pandëshkueshmëria bëhet rregull, dhe drejtësia përjashtim.
Kryetarja e LDP-së, Monika Zajkova, thotë se problemi nuk është vetëm mungesa e fondeve, por edhe prioritetet politike.
"Është e qartë, për pushtetin ka para për funksione, por nuk ka para për drejtësi!", thekson Zajkova.
LDP kërkon menjëherë sigurimin e fondeve të parashikuara me ligj për drejtësinë, çlirimin e pranimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj, uljen e shpenzimeve administrative të panevojshme dhe riorientimin e fondeve buxhetore drejt institucioneve që duhet të garantojnë sigurinë ligjore të qytetarëve.
Nga partia kërkojnë gjithashtu ndalimin e presioneve politike ndaj prokurorisë, mbrojtjen e pavarësisë së saj, rishikimin e ndryshimeve në legjislacionin penal dhe vendosjen e përgjegjshmërisë efektive për korrupsionin e lartë.



