LDP për skandalin me Iva Mihajlovën: A ta heqim drejtësinë, gjithsesi nuk merr mjaftueshëm para nga Qeveria, dhe as ministritë nuk funksionojnë?

„Partia Liberal-Demokrate (LDP) shpreh thellë zhgënjim për skandalet e përditshme që trondisin opinionin publik maqedonas, dhe që tregojnë për rrënimin e mëtejshëm të institucioneve shtetërore dhe ndërtimin e një sistemi padrejtësie. Rasti me Iva Mihajlovën e abstragojmë nga përkatësia etnike dhe nuk do t’u japim hapësirë atyre kokave të nxehta nacional-shoviniste në rajon që të bëjnë fushata etno-populiste mbi tragjeditë njerëzore. Mesazhet nga Sofja janë skandaloze dhe të tmerrshme dhe flasin për një vend ku ekziston errësim total kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit, e aq më pak për një sistem drejtësie evropian“, thonë nga LDP-ja.
„Mihajlova tani duhet të ndiqet penalisht për një vepër të re penale, dhe skandali të bëhet edhe më i madh, avokati i saj ka kryer vepra penale para drejtësisë bullgare dhe asaj maqedonase me deklaratën publike se e kanë „marrë fatin në duart e tyre“. Çfarë katastrofe ligjore! Në këtë rast, tragjedia e vërtetë në Maqedoni është se dështimi total i funksionimit të institucioneve çoi në atë person, i cili dyshohet për shkaktim të pasojave vdekjeprurëse në një aksident rrugor, në vend që të përballet me drejtësinë dhe të respektojë ndalesat gjyqësore, merr statusin e një viktime të pretenduar dhe yll shou, si nga ndonjë shou i neveritshëm dhe i lirë realiteti. Nuk ka njeri në Maqedoni që të mos jetë i shokuar nga fakti që diçka e tillë ishte fare e mundur.
Jetojmë në një shtet ku duhet të ketë polici funksionale, kamera sigurie në pikat kufitare dhe shërbime që sigurojnë që personat të cilëve u janë hequr pasaportat dhe kanë ndalesa për dalje, të jenë të disponueshëm për organet. Nëse e gjithë kjo është farsë jo funksionale, mesazhi është kristal i qartë: në Maqedoni mund të vrasësh, të vjedhësh, të shkatërrosh dhe në fund të ecësh lirshëm jashtë vendit dhe të bësh foto si viktimë. Dhe kjo ndodh në një vend ku pushteti ka kontroll absolut – me pushtet të plotë legjislativ, shumicë kushtetuese, kontroll të plotë mbi pushtetin lokal, dominim mbi hapësirën mediatike, madje edhe kontroll të plotë mbi kamerat e sigurisë.
Mesazhi që morën kriminelët në pushtet me ndryshimin e Kodit Penal dhe lirimin nga përgjegjësia e funksionarëve ishte se nga pozita e pushtetit mund të bëjnë çfarë të duan. Dhe tani, mesazhi që morën kriminelët e tjerë me skandalin Mihajlova është se edhe ata kanë liri veprimi. Kjo ngjan pashmangshmërisht me fillimin e një kaosi dhe anarshie të përgjithshme.
A kemi ende fuqi ta ndalojmë këtë rrënim? LDP beson se në popull ekziston një zemërim i madh, që së bashku së shpejti do të duhet ta shprehim dhe t’i japim fund këtij fundosjeje të përditshme shtetërore“, thuhet në deklaratën e LDP-së.



