MPJ për arratisjen e Iva Mihajlovës: Veprimi i tillë i institucioneve shtetërore bullgare minon përpjekjet tona për ndërtimin e besimit

Lidhur me arratisjen e Iva Mihajlovës në Bullgari dhe pritjen e saj në nivel të lartë në Sofje, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme thekson se veprimi i tillë i institucioneve shtetërore bullgare minon përpjekjet që bëjmë për ndërtimin e besimit dhe është në kundërshtim me angazhimet e deklaruara për zhvillimin e marrëdhënieve fqinjësore të mira, thonë nga MPJ.
„Pritja në nivel të lartë e një personi ndaj të cilit po zhvillohet procedurë gjyqësore dërgon një mesazh seriozisht të gabuar. Përkatësia kombëtare dhe posedimi i një shtetësie tjetër nuk duhet të shërbejnë si mbrojtje nga përgjegjësia para institucioneve kompetente. Secili ka të drejtë për një gjykim të drejtë. Askush nuk ka të drejtë të përjashtohet nga ligjet.
Nga Republika e Bullgarisë, si anëtare e Bashkimit Evropian, presim veprim në përputhje me parimet themelore evropiane: respektimin e procedurave gjyqësore, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve kompetente dhe barazinë para ligjit. Procedurat që krijojnë përshtypjen e mbrojtjes institucionale nga përgjegjësia gjyqësore janë të papajtueshme me këto parime. Sundimi i ligjit nuk duhet të jetë selektiv, as të varet nga përkatësia kombëtare e individit.
Për zhvillimin e rastit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme do t'i informojë partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht institucionet e Bashkimit Evropian dhe Këshillin e Evropës. Veprime të tilla, për të cilat ekzistojnë edhe shembuj të mëparshëm, dëmtojnë drejtpërdrejt besimin midis dy shteteve dhe hapin pyetje serioze për qëndrueshmërinë në respektimin e vlerave të përbashkëta evropiane.
Ne mbetemi të përkushtuar ndaj zhvillimit të marrëdhënieve fqinjësore të mira, të bazuara në respekt të ndërsjellë, besim dhe parime evropiane. Të njëjtën përgjegjësi e presim edhe nga pala bullgare.
Respektimi i drejtësisë nuk është çështje zgjedhjeje politike, por një detyrim themelor evropian“, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.



