Siljanovska-Davkova pranoi kryetaren e Gjysmëhënës së Kuqe turke, Fatma Meriç Yilmaz

Gordana Siljanovska-Davkova sot pranoi Fatma Meriç Yilmaz, kryetare e Gjysmëhënës së Kuqe turke dhe anëtare e Këshillit të presidentit të Republikës së Turqisë, shoqëruar nga kryetarja e Kryqit të Kuq maqedonas, Liljana Ristevska.
Kryetarja vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm midis Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe turke, i themeluar në vitin 1995, si një faktor të fuqishëm në ndërtimin e marrëdhënieve miqësore maqedono-turke.
Sipas saj, sfidat gjithnjë e më komplekse humanitare imponojnë nevojën për solidaritet më të madh ndërkombëtar, ndihmë të koordinuar dhe kalim nga veprimi reaktiv në atë parandalues.

Ajo theksoi se forcimi i bashkëpunimit humanitar rajonal, si dhe ndarja e njohurive, përvojave dhe praktikave të mira, çojnë në një përgjigje më efikase, në kohë dhe të përshtatshme ndaj krizave.
Siljanovska-Davkova përshëndeti zgjerimin e projekteve ekzistuese dhe iniciimin e projekteve të reja të përbashkëta midis dy organizatave kombëtare, të drejtuara drejt ndihmës së kategorive të cenueshme në kohë lufte, por edhe në kohë paqeje.
Fatma Meriç Yilmaz informoi për rolin e Gjysmëhënës së Kuqe turke dhe rrjetin e saj ndërkombëtar, si dhe për bashkëpunimin e frytshëm me Kryqin e Kuq maqedonas përmes shumë programeve, donacioneve dhe trajnimeve.
Ajo theksoi se në fokusin e aktiviteteve të tyre humanitare aktualisht janë personat mbi 65 vjeç, si kategoria më e neglizhuar e qytetarëve.

Gjithashtu, Yilmaz kujtoi ndihmën e pakursyer turke për qytetarët e Shkupit pas tërmetit katastrofik në vitin 1963, por edhe ndihmën e kthyer maqedonase për qytetarët turq pas tërmetit katastrofik në Turqi në vitin 2023. "U ndërtua një shkollë e re, e cila sot mban emrin 'Maqedonia'" – shtoi ajo.
Ajo i dhuroi Siljanovska-Davkovës regjistrime arkivore dhe fotografi historike që dokumentojnë ndihmën e Gjysmëhënës së Kuqe turke gjatë tërmetit të Shkupit në vitin 1963.



