E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Sulejmani: Rajoni i Prespës do të bëhet simbol i bashkëpunimit të ri ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe Shqipërisë – nënshkruhet deklaratë e përbashkët për rrugën drejt UNESCO-s

09.10.2026, 14:56

Me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët, ministrat e kulturës së Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe Shqipërisë në takimin trilateral të sotëm në Greqi, konfirmuan angazhimin e përbashkët për mbrojtjen dhe afirmimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Rajonit të Prespës, si dhe për përgatitjen e përbashkët të nominimit të tij për Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Deklaratën e nënshkruan ministri i kulturës dhe turizmit i Maqedonisë së Veriut, Sedat Sulejmani, ministrja e kulturës e Greqisë, Lina Mendoni dhe ministri i turizmit, kulturës dhe sportit i Shqipërisë, Blendi Gonxha.

Në takim morën pjesë gjithashtu Mihalis Rokas, ambasador dhe shef i Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut, Sinisha Sheshum, drejtues i zyrës së UNESCO-s në Sarajevë pranë Zyrës Rajonale të UNESCO-s në Venecia, koordinatore e përhershme e Kombeve të Bashkuara në Maqedoninë e Veriut, Rita Kolubia, si dhe përfaqësues të vetëqeverisjeve lokale dhe institucioneve nga tre vendet.

Në fjalën e tij, Sulejmani theksoi se nominimi i përbashkët për UNESCO-n është hapi thelbësor i ardhshëm në bashkëpunimin ndërmjet tre vendeve, duke nënvizuar se qëllimi nuk është vetëm njohja ndërkombëtare, por menaxhimi afatgjatë dhe i qëndrueshëm i rajonit, me përfitime konkrete për komunitetet lokale.

„Prespa, natyrisht dhe historikisht, gjithmonë ka qenë një e tërë, edhe pse brigjet e saj ndahen nga tri shtete fqinje. Pikërisht në atë bukuri komplekse qëndron edhe përgjegjësia jonë: ta shndërrojmë në një arsye për bashkëpunim të vazhdueshëm, të mirëkoordinuar dhe të orientuar drejt rezultateve“, u shpreh Sulejmani.

Ai vuri në dukje se tre vendet tashmë kanë një bazë të mirë për thellimin e bashkëpunimit, duke kujtuar aktivitetet dhe projektet e realizuara ku kanë marrë pjesë institucione dhe ekspertë nga Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Shqipëria. Si shembuj të rëndësishëm përmendi bashkëpunimin me Qendrën Evropiane për Monumentet Bizantine dhe Postbizantine nga Greqia, në kuadër të së cilës po realizohet konservimi i pikturës murale në kishën „Shën Gjergji“ në Kurbino, aktivitetet me institucionet shqiptare në ishullin Mal Grad, si dhe projektin „ACT4PRESPA“, i mbështetur nga Bashkimi Evropian.

„Këto përvoja tregojnë se bashkëpunimi ekziston, por edhe se mund ta rrisim atë“, theksoi Sulejmani, duke shtuar se pikërisht përmes njohurive të përbashkëta, vullnetit të mirë dhe interesit të përbashkët, Prespa mund të bëhet shembull i bashkëpunimit të suksesshëm ndërkufitar dhe mbrojtjes së përbashkët të trashëgimisë.

„Prespa meriton të jetë një hapësirë ku respektohen dallimet, dhe vlerat e përbashkëta kultivohen. Kur bashkojmë njohuritë, vullnetin e mirë dhe interesin e përbashkët për këtë rajon, ne nuk ndërtojmë vetëm projekte – ndërtojmë një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të pjekur ndërmjet tre vendeve tona“, tha Sulejmani.

Lajme të ngjashme