Të paguara fonde për 556 pensionistë nga “Alta Banka” AD Bitola

Për 556 pensionistë që kishin llogari pagese në “ALTA banka” AD Bitola dhe nuk dispononin me karta pagese, sot u janë paguar fondet në degën në Bitola, njoftoi NBRM.
Sipas planit fillestar, siç informojnë nga NBRM, priteshin rreth 400 pagesa.
“Pagesa e fondeve u zhvillua në mënyrën më të mirë. Edhe pse për sot përmes mesazheve SMS u thirrën rreth 400 qytetarë, në sportele u shërbyen të gjithë qytetarët që nuk kishin lënë numër telefoni për kontakt, dhe që vetë kanë ardhur për të tërhequr fondet. Sipas kufizimeve të përcaktuara, qytetarët mund të tërheqin deri në 20.000 denarë, brenda shumës maksimale të lejuar për periudhën prej dy javësh.
Njëkohësisht, në llogaritë e “ALTA banka” AD Bitola sot janë depozituar edhe fondet e destinuara për pagesën e ndihmës sociale nga ana e Ministrisë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Me këtë janë krijuar kushtet që pagesa e fondeve për përfituesit e ndihmës sociale të fillojë nga nesër, 6 nëntor.”
NBRM kujton se dega e “ALTA banka” në Bitola nesër (6.11) do të punojë në dy turne, dhe do të punojë edhe të shtunën.
Nga aty presin që pas përgatitjeve të kryera, javën tjetër të hapen sportele edhe në qytetet e tjera.
“Banka Popullore vazhdon me marrjen e masave për tejkalimin e situatës së krijuar dhe gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme për lehtësimin gradual dhe të sigurt të disponimit me fondet e qytetarëve dhe kompanive.”



