„Vlen": Korridori 8, investim në zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen evropiane

Fillimi i punimeve ndërtimore në autostradën Bukojçani–Kërçovë përbën një hap të rëndësishëm në realizimin e Korridorit 8 dhe në forcimin e lidhjeve infrastrukturore të Maqedonisë së Veriut me rajonin, thonë nga „Vlen“.
Për „Vlen“, Korridori 8 është një interes strategjik kombëtar dhe një mundësi e madhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Përmes këtij projekti përmirësohet lidhja me Shqipërinë dhe Bullgarinë, lehtësohet transporti i mallrave dhe krijohen kushte më të favorshme për investime dhe bashkëpunim ekonomik.
„Korridori 8 është një nga projektet që përcaktojnë drejtimin e zhvillimit të vendit. Çdo segment i cili fillon ndërtimin e afron Maqedoninë e Veriut drejt një rrjeti modern rrugor dhe drejt një roli më të rëndësishëm në lidhjet tregtare në rajon“, thonë nga partia.
„Vlen“ e konsideron realizimin e këtij korridori si pjesë të përpjekjeve për zhvillim ekonomik, lidhje më të mira rajonale dhe integrim evropian. Qëllimi është që pozicioni gjeografik i vendit të kthehet në një avantazh ekonomik, përmes infrastrukturës që do t’u shërbejë qytetarëve, bizneseve dhe brezave të ardhshëm.



