Zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski dha dorëheqje për arsye personale

Zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski sot dha dorëheqje nga funksioni, duke theksuar se vendimin e mori për arsye personale. Në njoftimin me të cilin e bëri të ditur dorëheqjen, Andovski falënderoi kryeministrin për besimin e dhënë, si dhe zv/kryeministrin Ljupço Dimovski për bashkëpunimin dhe mbështetjen.
Ai shprehu falënderime edhe ndaj punonjësve shëndetësorë dhe bashkëpunëtorëve, duke theksuar se për të ishte nder dhe përgjegjësi e madhe të kryente këtë funksion.
„Sot dorëzova dorëheqjen time nga funksioni i zëvendësministrit të Shëndetësisë, për arsye personale. Nga zemra i falënderoj Kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për besimin, mbështetjen dhe mundësinë që të jem pjesë e Qeverisë dhe të kontribuoj në përmirësimin e sistemit shëndetësor.
Faleminderit i veçantë i drejtohet zv/kryeministrit të Qeverisë, Ljupço Dimovski, për bashkëpunimin e sinqertë dhe korrekt, mbështetjen dhe qëndrimin profesional gjatë gjithë periudhës.
Faleminderit edhe të gjithë kolegëve të mi, punonjësve shëndetësorë dhe bashkëpunëtorëve me të cilët punuam së bashku në interes të qytetarëve dhe shëndetësisë maqedonase. Për mua ishte nder, por edhe përgjegjësi e madhe të kryej këtë funksion.
Largimi nga funksioni nuk e ndryshon falënderimin tim ndaj të gjithë atyre me të cilët kam punuar, as respektin tim ndaj institucionit dhe njerëzve që çdo ditë kujdesen për shëndetin e qytetarëve.
Qeverisë i uroj sukses në punën e mëtejshme dhe shumë arritje në ndërtimin e një sistemi shëndetësor më të mirë dhe më cilësor.
Faleminderit për besimin“, tha Andovski.



