Pas Manchester United, edhe Real Madrid ndjek situatën rreth McTominay

Real Madrid është i interesuar ta sjellë Scott McTominay (29), mesfushorin skocez që u bë një nga yjet më të mëdhenj të futbollit italian pasi la Manchester Unitedin.
Sipas asaj që shkruan gazeta italiane "Il Mattino", dhe që publikoi edhe "Tuttomercatoweb", klubi madrilen tashmë ka kontaktuar me menaxherët e lojtarit nga Napoli për të pyetur për mundësinë e transferimit të tij.
McTominay ka kontratë me Napolin deri në verën e vitit 2028, por negociatat për vazhdimin e bashkëpunimit ende janë në vendnumëro. Skocezi është një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën e Massimiliano Allegrit, por pritshmëritë financiare të kampit të tij janë dukshëm të ndryshme nga ajo që Napoli aktualisht i ofron.
Sipas mediave italiane, McTominay aktualisht fiton rreth tre milionë euro në vit. Përfaqësuesit e tij kërkojnë më shumë se tetë milionë euro për sezon për të vazhduar kontratën deri në vitin 2030, ndërsa Napoli thuhet se ka ofruar rreth pesë milionë gjatë verës.
Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis, nuk e konsideron vazhdimin e kontratës si një çështje urgjente pasi McTominay është i lidhur me klubin edhe për gati dy vite. Megjithatë, lojtari dhe përfaqësuesit e tij dëshirojnë të zgjidhin situatën sa më shpejt të jetë e mundur.
Real Madrid mund të përpiqet të shfrytëzojë këtë situatë "status quo". Sipas burimeve italiane, interes ekziston edhe mes klubeve të Premier League angleze, ku McTominay kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij.
I njëjti burim, javën e kaluar, publikoi se situatën rreth McTominay e ndjek me kujdes klubi i tij i mëparshëm, Manchester United.
Foto/ Depositphotos


